Opinion Më shumë

Kriza financiare në fushën e sportit

Prej tvteuta15:25, 4 Tetor 2019

Sporti ulqinak në prag të vdekjes klinike

 Gjekë Gjonaj

Në vend se të  gjithë qytetarët ,  zyrtarët dhe pushtetarët  e Komunës së Ulqnit  të kthejnë më shumë  sytë nga  sporti, ta mbështesin e të kontribuojnë  për të pasur një Ulqin më të fortë në sport, për fat të keq, në periudhën e shumëpartizmit, pas rënies së komunizmit, nuk i është kushtuar një vëmëndje e merituar. Është e dhimbshme të themi që sporti në këtë qytet, është njëra prej fushave sot më keq se sa para viteve’90-të. Dhe kjo është shqetësuese  dhe me pasoja të rënda për këtë sektor të dashur e të dobishëm për gjithë shoqërinë.  Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore  të tranzicionit  sporti asnjëherë nuk ka qenë në binarë. Në sportin e Ulqinit shumëçka nuk është në vendin e vet. Ky nuk është  pohim imi, por vlerësim i sportistëve të shquar  dhe sportdashësve të këtij qyteti, të cilët e kanë në zemër sportin, pa të cilin nuk ka shoqëri njerëzore.

Sadoqë  na vjen keq dhe jemi të shqetësuar  për  gjendjen eaktuale të sportit në këtë qytet,  ky është realiteti.  Vetëm ata që kanë fajet apo “mizën pas veshit” nuk e  shohin dhe nuk e pranojnë. E, faktet janë fakte. Ato flasin dhe triumfojnë para njerëzve sado të fortë që mund të jenë ose mendojnë se janë. 

Pozitën e sotme jashtëzakonisht të  vështirë financiare  të sportit në Ulqin  e pasqyrojnë qartë  dy klubet më të mëdha sportive, të cilat  do të duhej të jenë simbol i qytetit dhe pjesë e identitetit sportiv të tij, Klubi i Basketbollit “ Ulqini”  dhe Klubi i Futbollit “ Otrant Olimpiku”.  Të dy këto klubet ( kryesitë e tyre)  publikisht  janë deklaruar për krizën e  madhe  financiare dhe kanë kërkuar ndihmë nga institucionet përkatëse komunale.  Basketbollistët kohë më parë  kanë dalur me një deklaratë për mospjesëmarrje fare në gara të Ligës së Parë të Malit të Zi, kurse udhëheqësit e  “ Otrant Olipikut”  kërkuan ndihmë të menjëhershme të kryetarit të komunës së Ulqinit. Në të kundërtën,thuhet në kumtesë,  kryesia e  këtij klubi në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur pak ditë më parë vendosi që    të gjithë anëtarët  e Kuvendit, Këshillit Drejtues dhe personat e tjerë teknik do të paraqesin dorëheqje të pakthyeshme në të gjitha pozicionet dhe do të informojnë Federatën e Futbollit të Malit të Zi për larghgim nga garat të seniorëve në Ligën e Dytë të Malit të Zi.

 Se cili do të  jetë  epilogu  i bisedimeve  të drejtuesve të këtyre dy klubeve sportive me drejtuesit , respektivisht  me njeriun e parë të këtij qyteti, për zgjidhjen e krizës së tyre finanaciare ,  mbetet  për t’u parë  ditëve në vijim.  E, zgjidhja  nuk është aspak e lehtë, kur dihet se Komuna e Ulqinit tash tre muaj ndodhet në bllokadë për shkak  të   borxhit nga vendimi gjyqësor i Gjykatës Supreme në shumë prej afro 6 milionë euro, për rastin e njohur si K1.

Kur flitet për gjendjen e rëndë të sportit  në Ulqin,  përveç krizës kronike financiare mendja gjithësesi na shkon te infrastruktura katasrofale,  mungesa e  palestrës së sportit,   mungesa e fushave të futbollit,  te hapësirat (objektet) private  të papërshtatshme ku stërviten  sportistët e tjerë , të cilët  me sukseset e treguara në gara  shtetërore, kombëtare e ndërkombëtare ,  edhe përkundër vështirësive të mëdha fianaciare, dëshmuan se  meritojnë  shumë më tepër seç u kemi dhënë deri më tani dhe se assesi nuk duhet të lihen  pas dore , në mëshirën e fatit të tyre.

Pra, mos të ngurrojmë, por të pranojmë se sporti i Ulqinit ka probleme serioze. Ato janë të lidhura në mënyrë zinxhirore. Për to duhet të diskutohet seriozisht pa humbur shumë kohë. Dhe këtë duhet ta bëjnë   drejtuesit e klubeve të sportit, sportistët, sportdashësit, biznesmenët, njerëzit që i takojnë  poliitikës apo që janë të afërm të politikanëve të cilët me ose pa meritë  kanë zënë pozita kryesore  nëpër klube e deri në instituicione qëndrore sportive të Malit të Zi. Në interesin e të gjithëve është që të kuptojnë  se është i nevojshëm  një reformim i thellë në sportin e Ulqinit , i cili mund të nisë ( fillojë)  vetëm atëherë kur financimi në sport të rregullohet me ligj, e jo si deri më tash me nënshkrimin e marrëveshjeve , me fjalime politike, etj.

Sportistët e dalluar të këtij qyteti  shprehen të bindur se nëse  nuk merren masa të menjëhershme  për përmirësimin dhe zhvillimin e sportit, dhe nëse nuk ka politika reale, të financuara e të  realizuara seriozisht përmes buxheteve , sporti ulqinak rrezikon shkatërrimin përfundimtar të tij.

  • 1

    Radio