Krivokapiq në Bruksel: Anëtarsimi në BE është prioritet
Prej tvteuta20:56, 15 Dhjetor 2020

Mali i Zi ka mbështetjen e plotë të partnerëve evropianë lidhur me aspiratat e vendit për të qenë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian (BE), tha Kryeministri Zdravko Krivokapiq gjatë ditës së parë të vizitës së tij zyrtare në Bruksel.
Ai për Radio Televizionin e Malit të Zi tha se është kënaqësi dhe nder për të, por edhe për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, që në javën e dytë të qeverisë së re patën mundësinë të vizitonin Brukselin dhe Këshillin Evropian, të udhëhequr nga kryetari Charles Michel.
Sipas Kryeministrit, Mishel dëshironte të kishte informacione të dorës së parë dhe t’i siguronte mbështetje të plotë Malit të Zi për aktivitetet për të cilat është angazhuar qeveria e re.
“Prioritet është rruga jonë për në BE dhe aspirata që Mali i Zi të jetë anëtari i 28-të i Bashkimit. Ne kemi mbështetjen e partnerëve evropianë dhe do të përpiqemi ta bëjmë Ballkanin, dhe mbi të gjitha Malin e Zi të ndryshëm, nga ajo që është tani në sytë e opinionit evropian dhe botëror.” theksoi Krivokapiq.
Michel në llogarinë e tij në Twitter tha se lidhjet e ngushta me vendet e Ballkanit Perëndimor janë thelbësore për Bashkimin Evropian dhe se Mali i Zi është një partner kryesor në atë proces.
“Ju keni mbështetjen tonë të plotë për reformat që po zbatohen nga vendi juaj,” shkroi Michel.