Kremtimi i 28 Nëntorit në Ulqin
Prej tvteuta15:05, 29 Nëntor 2022

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi vit për vit organizon aktivitete me rastin e festës kombëtare të 28 Nëntorit. Dita e 28 Nëntorit filloj me aktivitetin sportiv të Maratonës së Pavarësisë Shkodër – Ulqin 2022, për të vijuar me filmin dokumentar “Hasan Prishtina, ideolog i çeshtjes kombëtare”, më pas ekspozita e piktorëve vendas dhe aktiviteti qendror ishte ai në sallën e Qedrës për Kulturë ku u festua mes këngëve e valleve.
Këto aktivitete i financon Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Komuna e Ulqinit, ndërsa sponsor gjeneral i kësaj mbrëmjeje ishte Televizioni Teuta.
Në emër të organizatorit, fjalën përshëndetëse e mori Kryetari i Komisionit për Kulturë, Media dhe Sport pranë Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Nail Draga.
Në emër të Komunës së Ulqinit mori fjalën nënkryetari i Komunës Beqir Sella.
Në këtë mbrëmje festive u bë edhe ndarja e çmimeve për fituesit e Maratonës së këtij viti, ku u ndanë nga 3 çmime për dy kategori, atë të meshkujve dhe femrave.
Mbrëmja vazhdoi me këngë e valle nga Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve popullore, ku përmes programit të tyre u prekën të gjitha trojet shqiptare për të sjellë aromë nga çdo cep i banuar me shqiptarë.