Aktuale Më shumë

Kranjanët mbajten shetitje protestuese te gërmadhat e kishës së Shën Mërisë si revoltë ndaj nënshkrimit të Marrëveshtjes themelore

Prej tvteuta20:30, 10 Gusht 2022

Sot një grup kranjanësh organizuan shetitje protestuese te gërmadhat e kishës së “Shën Mërisë” në Curaj të Krajës. Kjo kishë sipas të dhënave historike daton nga viti 1001 dhe i takonte kishës së krishterë, e cila më pas në vitin 1054 u nda në kishën e lindjes dhe perëndimit. Sipas banorëve të Krajës fakti më i rëndësishëm është se kjo kishë u takon banorëve të Krajës të cilët historikisht ishin dhe janë shqiptarë.
Bashkëorganizatori Xhevat Kraja  tha për TV Teuta se e kanë parë të obligueshme që të grumbullojnë bashkëvendasit kranjan dhe ti tregojnë Qeverisë së Malit të Zi se nuk janë dakord me marrëveshtjen e nënshkruar, që nënkupton që kjo kishë tu dorëzohet autoriteteve të kishës ortodokse serbe. “Është fakti se kisha, si çdo kishë, si çdo xhami, si çdo objekt fetar është i banorëve përreth. Kjo kishë gjendet në Ostros dhe nuk është e mundur të jetë kishë ortodokse serbe sepse këtu ishin banorë shqiptarë. Ishin, janë dhe do të jenë“, përfundoi Kraja.

Dr.Ismail Doda gjatë këtij tubimi tha se ka një mori dokumentash lidhur me kishat nëpër vendbanimet e ndryshme të Krajës dhe se ato nuk mund të jenë ndryshe përveç kisha shqiptare.
“Ktu ka qenë vazhdimësia e jetës iliro-shqiptare dhe është vendi i dytë mbas rrethinës së Gjirokastrës që këtu është mbajt tregu, pazari, për shkak të kushteve të volitshme për tregti sepse Liqeni i Shkodrës është shumë afër”.

Hajrullah Hajdari për kishat në Krajë jep një shembull pse ato nuk mund të jenë sllave:”Janë dy arsye: prania e serbëve në këto teritore dhe asnji objekt sakral në këto teritore nuk gjenden para shekullit VII, dmth. se dyndja e sllavëve në këto troje është nga shekulli VI deri në shekullin VII, ndonëse kanë filluar nga shekulli IV, por në Mal të Zi kanë arritur tek në Shekullin VI”.

Ali Gjeçbritaj tha se me ardhjen e pluralizmit në vitet e 90-ta, Kisha ortodokse serbe organizoi provokime të jashtëzakonshme të popullit të Krajës. “Konsiderojmë se gërmadhat e kishës së Krajës i takojnë vetëm popullit të Krajës dhe atyre që jetojnë aty. Dhe ajo për ne është trashigimi kulturore e shpirtërore e kranjanëve”, veçoi Gjeçbritaj.

Sabri Milla në vitin 1983 ishte pjesmarrës i drejtpërdretjë i gërmimeve të para që janë bërë në këtë lokacion. Ai si i ri në atë kohë, bashkë me disa shokë nga Kraja ndihmuan në procesin e gërmimeve arkeologjike. “Filluam punën, filluam gërmimet, çelëm vorrezat të cilat në disa vende ishin të shtresuara një mbi një. Ata i zgjodhen sendet duke filluar nga qypat, unazat, vizatimet e ndryshme, dhe të gjitha i merrnin dhe i vendosnin nëpër qese, por rezultatet asnjëherë nuk i kemi pasur të njohura dhe nuk kemi informacione se janë publikuar ndonjëherë”, theksoi Milla.

Teksti: Ilmira Lika/TV Teuta

  • 1

    Radio