Rajoni/Bota Më shumë

Kosova pranë liberalizimit të vizave?

Prej tvteuta15:26, 28 Shtator 2022

Në draft-raportin e Parlamentit Evropian, që do të debatohet në tetor në Komisionin e Politikës së Jashtme, kërkohet që sa më shpejt të përmbyllet liberalizimi i vizave për Kosovën. Po në tetor, Këshilli Evropian ka vendosur në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas dokumentit, kërkohet që BE-ja të angazhohet më shumë me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë që përmes dialogut të ndërmjetësuar nga blloku, shtetet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve. Aty po ashtu theksohet mbështetja për aspiratat evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Përmes dokumentit të përgatitur nga PE-ja po ashtu bëhet thirrje që “të përshpejtohet procesi i integrimit i atyre vendeve që dëshmojnë orientim strategjik dhe përkushtim të palëkundur ndaj reformave evropiane, konsolidimit të demokracisë dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së”. PE-ja kërkon që të shpërblehet përparimi i shteteve kandidate që kanë harmonizuar politikat e tyre me ato të BE-së dhe të sanksionohet çdo regres. “Duhet siguruar që hapat e përkohshëm të integrimit të mos e zëvendësojnë, por ta ndihmojnë qëllimin përfundimtar që duhet të jetë anëtarësimi i plotë në BE”, thuhet në draft-raport.

Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia dhe Mali i Zi janë më të avancuar në procesin e anëtarësimit. Këto dy shtete kanë hapur disa kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria këtë vit kanë hapur procesin e bisedimeve, ndërkaq Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina mbeten të fundit në rajon në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi asnjëra prej tyre nuk kanë marrë ende statusin e vendit kandidat.

  • 1

    Radio