Kosova mbyll operacionin në Veri. Të paktën 3 të vdekur, pjesë e grupit serbë dhe rusë
Prej tvteuta09:51, 25 Shtator 2023
Policia e Kosovës ka përfunduar operacionin në Manastirin në Banjska të Zveçanit, ku ka arritur të arrestojë disa prej terroristëve që sulmuan patrullën e policisë së Kosovës duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, teksa ka ekzekutuar 3 prej tyre gjatë shkëmbimit të zjarrit. Lajmi është dhënë nga vetë ministri i Brendshëm Xhelaç Sveçla, në një prononcim për mediet në veri të Kosovës.
“Pas kësaj, përgjigja e policisë së Kosovës ishte e menjëhershme dhe profesionale, për një kohë të shkurtër vendosën të gjithë territorin në kontroll. Me këtë rast, ne kemi 6 të arrestuar 2 nga ata të plagosur. Si dhe 3 së paku, sulmues të vrarë. (… të kombësive të ndryshme)
Sipas tij, në këtë manastir është gjetur armatim i shumtë teksa thekson se disa prej armëve i shihnin për herë të parë, ndërkohë po identifikohen pelegrinët e infiltruar në këtë grup terrorist në manastir.
Policia e Kosovës zbuloi një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada. Mund të themi, se ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë. Përgatitjet ishin që në mënyrë masive të sulmonin policinë e Kosovës, institucionet në Kosovës dhe të cenojnë sovranitetin e vendit. Ata dështuan falë sakrificës dhe profesionalizmit të Kosovës. Ata i bënë sot nder jo vetëm kujtimit të Afrim Bunjakut por gjithë Kosovës. Ky është grup terrorist.”
Po ashtu ai shtoi se aksioni vazhdon për arrestimin e të gjithë të përfshirëve në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës. Nga ana tjetër burime bëjnë me dije se janë shoqëruar në Polici 49 pelegrinë, teksa do të merren në pyetje që të mund të zbulojnë të infiltruarit ndër terroristë.
Rreshteri Afrim Bunjaku u vra dhe kolegu i tij Alban Rashiti u plagos rreth orës 02:34 minuta të 24 shtatorit, kur grupet e armatosura sulmuan njësitin e policisë, të cilit e kishin zënë pritë në hyrje të fshatit. Më pas formacioni prej 30 personash me uniforma ushtarake dhe i armatosur rëndë u fut në manastirin Banjskës në Zveçan ku vijoi të sulmojë policinë.