Rajoni/Bota Më shumë

Kosova feston 13 vjetorin e pavarsisë. Biden: Për mua Kosova është vend i veçantë

Prej tvteuta18:42, 17 Shkurt 2021

17 Shkurti 2021 shënon ditën kur shteti i Kosovës mbush 13 vjet prej kur është shpallur i pavarur. Të dielën e 17 Shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë. Nga ai çast, Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri. Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas pavarësisë, ndërsa deri më tani Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli. Këtë radhë, festa vjen vetëm tre ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentar që nxorën fitues Albin Kurtin. Monumenti “NEW BORN”, që simbolizon lindjen e shtetit të ri, në këtë 13 vjetor ndryshoi pamje. Si vjet, ai u vesh me ngjyrat e Ushtrisë së Kosovës. Motoja e tij këtë radhë është “ Paqen e sollëm bashkë”.  Dita sakaq nisi me ceremoni në oborrin e kryeministrisë ku u ngrit flamuri shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së, e ku mori pjesë presidentja në detyrë e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti. Ndërkohë, Osmani dhe Kurti bënë homazhe në varrin e ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

 

Në një letër drejtuar ushtrueses së detyrës së presidentit të kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, presidenti anerikan Joe Biden thekson: “Ka ende shumë punë për të bërë, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë e fokusuar në njohjen e ndërsjellë, që fuqizon sundimin të ligjit, përballjen me pandeminë dhe nxitjen e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës”. Më tej, Biden ndalet tek lidhjet mes dy popujve , që sipas tij janë të fuqishme dhe bazohen në angazhimin e përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës si një vend sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik.”Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje. Ndërkaq për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letër. Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

 

  • 1

    Radio