Konfirmohet aktakuza ndaj Stijepoviq
Prej tvteuta17:41, 13 Gusht 2023
Gjykata e Lartë ka konfirmuar aktakuzën kundër ish-kryetarit të Podgoricës, Slavoljub Stijepoviq, i cili akuzohet për pastrim parash në rastin “Zarfi”, ndërsa data e gjykimit ende nuk dihet. Më parë, procedimi penal ndaj Stijepoviq ishte pezulluar dy herë, me vendime të Gjykatës së Lartë.
Afera “Zarfi” i referohet një videoje sekrete të publikuar nga biznesmeni Dushko Knezheviq në vitin 2019, e cila tregon Stijepoviq në momentin e gjoja dorëzimit të 100,000 eurove për financimin e fushatës së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), lideri i së cilës në atë kohë ishte Millo Gjukanoviq, në prag të zgjedhjeve të vitit 2016.
Videoja është publikuar nga portali “in4s” në janar 2019. Menjëherë pas kësaj, filloi procedura kundër Stijepoviq. Në mars 2021, Gjykata e Lartë konfirmoi aktakuzën kundër Knezheviq, i cili ndodhet në Britaninë e Madhe, dhe pesë personave të tjerë – Branislav Todoroviq, Zhivko Shljivançanin, Tamara Krxhiq, Goran Grujoviq dhe Tomica Knezheviq, për të njëjtën vepër penale.
Stijepoviq akuzohet si bashkëpuntor në veprën penale të pastrimit të parave. Deputeti i Parlamentit Evropian (PE) Tonino Picula ka dorëzuar së fundmi një amendament në draft raportin për Malin e Zi, ku thuhet se afera “Zarfi” duhet të marrë epilog.