KOMUNA E ULQINIT KA SHLYER TË GJITHA BORXHET
Prej tvteuta15:06, 13 Janar 2024
Këtë javë, të gjitha pagat e prapambetura në shumën e përgjithshme prej rreth 250 mijë euro i janë paguar ndërmarrjeve publike të themeluara nga Komuna e Ulqinit.
Kjo dëshmon se Ulqini definitivisht ka bërë disa hapa të mëdhenj përpara në të gjitha fushat.
Kështu ka njoftuar kryetari i Komunës, Omer Bajraktari në një komunikim për media.
Ai tha se paga e dhjetorit e të gjitha kompanive publike dhe punonjësve të Komunës, me taksa dhe kontribute, është paguar para festave të Vitit të Ri.
“Ndërmarrjet publike Radio Ulqini, ndërmarrja për mbarështimin dhe mbrojtjen e gjahut dhe Agjencia për Zhvillim dhe Ndërtim prej vitesh janë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë. Mesatarisht, punonjësve u detyroheshin rreth 20 paga. Vitin e kaluar gradualisht i kemi ulur ato borxhe që sivjet përfundimisht do të zvogëlohen në zero”, ka shtuar Bajraktari.
Ai u shpreh se ky është një tregues që pushteti vendor mund të përballet me këtë situatë të trashëguar.