Aktuale Më shumë

Raporti i KE-së për Malin e Zi: Tensionet politike, reformat e ngadalta të gjyqësorit dhe ndryshimet në administratën publike po ngadalësojnë rrugën drejt BE-së

Prej tvteuta14:00, 8 Nëntor 2023

Komisioni Evropian vlerësoi në raportin për progresin e Malit të Zi për vitin 2023 se ajo periudhë u shënua nga tensione politike, kriza institucionale, mungesë progresi në reformën në drejtësi, duke theksuar se së bashku me ndryshimet e vazhdueshme në administratën publike, këto janë çelësi dhe arsyet e bllokimit të sistemit politik dhe ngadalësimit të rrugës së vendit drejt BE-së.

“Periudha raportuese u karakterizua nga pozicione të tensionuara dhe konfrontuese që çuan në bllokimin e sistemit politik. Situata politike u dominua nga qeveria e përkohshme që nuk kishte besimin e parlamentit dhe parlamenti, i cili nuk është në gjendje të mbledhë një shumicë të qartë dhe konsistente për të nisur reformat”, thuhet në raportin e KE-së, në të cilën kishte qasje  Zëri i Amerikës.

KE mendon se bojkoti i një pjese të madhe të Kuvendit ndikoi në punën e tij, si dhe nuk pati dialog efektiv politik dhe angazhim konstruktiv të partive politike, me qëllim të forcimit të përgjegjësisë parlamentare dhe mbikëqyrjes së qeverisë. Gjithashtu, vlerësohet se mungojnë udhëzimet për çështjet e anëtarësimit në BE, veçanërisht pas dorëheqjes së ministrit për çështjet e integrimeve evropiane, dhe kujton se “Qeveria dhe/ose Parlamenti në disa raste kanë injoruar rekomandimet e BE-së dhe/ose Komisionit të Venecias”.

Ligjet zgjedhore dhe ndryshimet në administratën publike

Në raport thuhet se pritet miratimi i Ligjit për Kuvendin, i cili do të rregullonte marrëdhëniet mes Kuvendit dhe pushtetit ekzekutiv dhe rikujton se nga tetori 2022 deri në qershor 2023 janë mbajtur tre cikle zgjedhore dhe se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare u vlerësuan nga vëzhguesit e OSBE-së si paqësore dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive procedurale. KE thekson se kuadri ligjor për reformën zgjedhore kërkon reformë gjithëpërfshirëse dhe harmonizim të legjislacionit zgjedhor, të drejtën për të votuar dhe kandiduar, transparencën, mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatës dhe medias, dhe shton se këto, së bashku me çështje të tjera mbeten të pazgjidhura. Raporti sugjeron gjithashtu se është e nevojshme të përmirësohet kuadri ligjor dhe institucional që rregullon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile.

Reforma në drejtësi

Raporti vlerëson se Mali i Zi “është ende mesatarisht i gatshëm për zbatimin e rregullave të BE-së dhe standardeve evropiane në fushën e drejtësisë dhe të drejtave themelore, por në përgjithësi ka arritur përparim të kufizuar”.

Politikë e jashtme

Kur bëhet fjalë për politikat e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes të BE-së, Mali i Zi ka një nivel të mirë gatishmërie, thekson dokumenti. Si një anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut, Mali i Zi është i angazhuar aktivisht në promovimin dhe mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar, Kartës së OKB-së dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, thuhet në dokument.

Lufta kundër korrupsionit

Kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, KE beson se Mali i Zi ka bërë përparim të kufizuar. Sipas raportit, është bërë përparim i kufizuar në parandalimin e korrupsionit dhe rezultatet e Agjencisë Kundër Korrupsionit janë përmirësuar në mënyrë sasiore, “megjithatë, pavarësia, përgjegjësia, paanshmëria dhe proaktiviteti i saj duhet të sigurohet më tej”.

Në pjesën e raportit lidhur me regjistrimin e popullsisë, KE konsideron se Mali i Zi është “mesatarisht i përgatitur në fushën e statistikave”. Për sa i përket kritereve ekonomike, Mali i Zi ka bërë përparim të kufizuar dhe është mesatarisht i përgatitur për zhvillimin e një ekonomie funksionale tregu, sipas raportit.

  • 1

    Radio