Knezheviq: Nuk kanë kuptim lëvizjet bojkotuese të opozitës
Prej tvteuta15:23, 21 Tetor 2023
Kreu i DNP-së dhe një nga udhëheqësit e Koalicionit për Ardhmërinë e Malit të Zi (ZBCG), Milan Knezeviq, deklaroi dje për mediat se fton përfaqësuesit e opozitës të marrin pjesë në komisionet e regjistrimit të popullsisë, një proces që pritet të fillojë në muajt në vazhdim.
“Sigurisht që duhet të lejohet opozita të marrë pjesë në komisionet e regjistrimit, dhe se ata janë ftuar për t’u përfshirë, por përshtypja ime është se ata nuk e duan këtë. Të gjitha subjektet politike e dinin se kur do të bëhej regjistrimi dhe është tepër simptomatike që disa sapo janë ‘kujtuar’ se procesi fillon më 1 nëntor.
Secili ka përgjegjësitë e tij për vendimet që merr, por sa i përket DNP-së nuk kemi asnjë problem me përfaqësuesit e opozitës në kapacitet të plotë për t’u përfshirë në kontrollin e këtij procesi dhe u kërkojmë atyre të përfitojnë nga kjo mundësi,” ka thënë Knezeviq.
Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe disa nga partnerët e saj aktualë vendosën këtë javë t’u bëjnë thirrje qytetarëve të bojkotojnë regjistrimin, duke argumentuar se nuk ka kushte për ta mbajtur atë për shkak të asaj që ata thonë se është një situatë politike e paqëndrueshme në vend. Ata kërkojnë që regjistrimi të vonohet deri sa të krijohen mundësitë e duhura. Pesë këshilla kombëtare të pakicave po bëjnë thirrje gjithashtu për një shtyrje, ndonse disa prej tyre janë duke marrë pjesë në fushatën e rregjistrimit.
Pavarësisht se palët kërkojnë ta kontrollojnë procesin, Autoriteti i Statistikave (Monstat) nuk kishte marrë asnjë kërkesë zyrtare nga askush deri ditën e djeshme lidhur me emërimin e përfaqësuesve në komisionet e regjistrimit. Monstat, i cili kryen regjistrimin, ka deklaruar më parë se kërkesa e DPS-së për të lejuar palët të marrin pjesë në komisione është e pranueshme për ta.
Knezeviq thotë se rregjistrimet e mëparshme u mbajtën në rrethana shumë më komplekse socio-politike, por askush nuk bëri thirrje për një bojkot dhe shkelje të ligjit. Ai shton se nuk e sheh të arsyeshme lëvizjen e DPS-së dhe të tjerëve që bëjnë thirrje për bojkot.
“Regjistrimi është një detyrim ligjor, jo një proces politik apo zgjedhor. Shteti nuk ka qenë në gjendje të organizojë regjistrimin në përputhje me ligjin dhe standardet evropiane për dy vjet, gjë që përfaqëson impotencën klasike të institucioneve të tij. Prandaj mendoj se është momenti i fundit që regjistrimi të mbahet në një atmosferë paqësore dhe demokratike, pa tensionet dhe tregimet përçarëse me të cilat jemi mësuar,” ka thënë Knazeviq.
Ndërsa pritet fillimi i regjistrimit të popullsisë, i planifikuar të mbahet nga 1 deri më 15 nëntor, po zhvillohet një fushatë për t’u sugjeruar qytetarëve se si të përcaktohen në nivel kombëtar, gjuhësor dhe fetar. Përveç këshillave kombëtare, në këtë proces marrin pjesë edhe disa parti, komunitete fetare, media nga Mali i Zi dhe Serbia…
Duke komentuar këto fushata, Knezeviq qartëson se kushdo që i përmbahet ligjit është në përputhje me standartin demokratik të komunikimit të pikëpamjeve.
Në anën tjetër Partia Boshnjake dhe Këshilli Boshnjak po kërkojnë që rregjistrimi i popullsisë të shtyhet sipas deklaratës së anëtarit të kryesisë së Partisë Boshnjake Mustafiq.
Mustafiq shtoi gjithashtu se ka ende vend për qeverinë aktuale dhe atë që duhet të zgjidhet së shpejti për të shtyrë regjistrimin.
“Jam i sigurt se subjektet politike që do të përbëjnë qeverinë e re, përfshi përfaqësues të partive shqiptare – do të ndikojnë edhe në riaktualizimin e kësaj çështjeje dhe se do të vihet tek një vendim që do të sjellë shtyrjen e regjistrimit,” përfundon Mustafiq.