Politikë Më shumë

KKSH – Të papranueshme veprimet e përsëritura të policisë ndaj flamurit kombëtar

Prej tvteuta10:27, 19 Nëntor 2019

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi – Të papranueshme veprimet e përsëritura të autoriteteve policore malazeze ndaj flamurit kombëtar të shqiptarëve

Rasti i fundit, i ndodhur në festën tradicionale “Festa e Gështenjës” në Krajë, në të cilën është ndaluar dhe procesuar një shqiptar për shkak të shpalosjes së flamurit kombëtar, tregon qartë fytyrën e vërtetë të disa pjesëtarëve të autoriteteve policore malazeze, të cilët shfrytëzojnë rastet dhe hapësirat ligjore “kundërvënieve” (kolizionin) e ligjeve në Malin e Zi për të shprehur animuzitetin që kanë ndaj simboleve dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Edhe pse shpalosja e simboleve, të cilat shprehin identitetin kombëtar të pakicave që jetojnë në Malin e Zi është e drejtë e garantuar në Kushtetutën e Malit të Zi, edhe pse Ligji aktual në fuqi për përdorimin e simboleve kombëtare e lejon përdorimin e lirë të simboleve në manifestime dhe organizime private, edhe pse Këshilli Kombëtar në dy raste në vitin 2012 dhe 2014 e ka informuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi hollësisht se cili është simboli, gjegjësisht flamuri kombëtar i shqiptarëve në Malin e Zi, për disa zyrtarë të policisë malazeze kjo shpalosje e identitetit krijon problem dhe këta zyrtarë e shfrytëzojnë nenin famëkeq 23 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike, sipas të cilit denohen personat që shpalosin simbolin e një shteti tjetër brenda Malit të Zi.

Këshilli Kombëtar për rastin në fjalë do të informojë përfaqësitë diplomatike në Malin e Zi dhe do të shprehë qëndrimin e tij, duke cilësuar se këto veprime i vlerëson si shkelje të të drejtave kombëtare të pakicës shqiptare në Malin e Zi, në shkelje me Kushtetutën, Ligjin dhe konventat ndërkombëtare, të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut dhe pakicave.

Qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë është se nuk ka, as nuk do të ketë pushtet në Malin e Zi që do t’i frikësojë shqiptarët në shpalosjen e identitetit të vet kombëtar përmes simboleve nacionale edhe përkundër tendencave të herëpashershme për provokime dhe frikësime.

Shqiptarët në Malin e Zi janë popull autokton, të cilët do të ruajn dhe shpalosin identitetin e vet kombëtar me çdo kusht e në çdo situatë pa cënuar askënd dhe nuk lejojnë të nënshtrohen, t’i krijohet presion, të manipulohen e ngjashëm. Këshilli Kombëtar do të qëndrojë krah çdo atdhetari që don të shprehë identitetin e vet kombëtar, me të gjitha format dhe mjetet demokratike.

Ne do të vazhdojmë me shpalosjen e flamurit kombëtar, sepse jemi në ditët më madhështore për kombin shqiptar, festën e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar.

Me respekt

Kryetari

Faik Nika

  • 1

    Radio