Kemi çmimet më të larta të benzinës në rajon
Prej tvteuta16:53, 22 Gusht 2023
Qytetarët e Malit të Zi prej një jave kanë çmimet më të larta të benzinës në rajon, 11 centë më shumë se në Kroaci dhe Slloveni, anëtare të Bashkimit Evropian. Përveç zhvillimeve në tregun ndërkombëtar, shkak është edhe akciza e lartë për karburantet.
Ne paguajmë 11 cent më shumë akcizë për një litër Eurodizel se qytetarët e Bashkimit Evropian, dhe 19 cent për një litër benzinë. Dhe pikërisht në atë pjesë Shoqata e Kompanive të Naftës sheh hapësirë për uljen e çmimeve të karburanteve. “Pse Kroacia sot ka një çmim dukshëm më të ulët se Mali i Zi? Sepse ajo e njohu sezonin turistik si burim dhe të gjithë turistët që vijnë mbushin rezervuarët para se të largohen. Ndryshimi i akcizës është humbje për shtetin në një pjesë, por është fitim për popullin dhe ekonominë dhe rritja e konsumit të karburantit jep një fitim të shtuar në TVSH”, thotë Boris Spaleviq, nga Shoqata e Kompanive të Naftës.
Nga Ministria e Financave, megjithatë, nuk bëjnë të ditur nëse po mendojnë për uljen e akcizës, por vetëm se po monitorojnë situatën në treg. Ulja e akcizës për karburantet nga maji i vitit të kaluar deri në shkurt të këtij viti, siç ishte paralajmëruar më parë nga Ministria e Financave, ishte një sulm i dukshëm ndaj buxhetit të shtetit, pasi analizat treguan se shteti ka humbur rreth 50 milionë euro të ardhura përmes këtij koncesioni për qytetarët dhe ekonominë.