Karamanaga: Të gjitha rrugët do të sanohen brenda dy javëve
Prej tvteuta18:23, 26 Maj 2023

Me ardhjen e sezonit turistik, një nga shqetësimet kryesore të banorëve të Ulqinit, janë rrugët në një pjesë të qytetit, të cilat janë prishur për shkak të punimeve në rrjetin e kanalizimit.
Në Sekretariatin për investime thonë se në dy javët e ardhëshme do të sanohen të gjitha pjesët, ndërsa paralajmërojnë edhe disa punime të shpejta në asfaltimin e rrugëve dytësore, si në qytet ashtu edhe në zonat periferike.
Sekretari Minir Karamanaga, thotë se disa nga rrugët veç janë asfaltuar, ndërsa në proces është edhe sanimi i pjesëve të mbetura. Edhe pjesa përballë servis “Murati” do të asfaltohet, edhe pse aty punimet ende nuk kanë përfunduar, por në marrëveshje me kontraktuesin kanë arrritur në dakordësim se sezoni turistik nuk mund të pritet me rrugë në atë gjendje.
Ai njoftoi se gjatë kësaj kohe, edhe pse të shkurtër, do të ketë edhe asfaltime të reja në rrugë dytësore, si në zonën e qytetit, ashtu edhe në periferi. Ai theksoi po ashtu edhe punimet në ndërtimin e parkingut të ri prapa ndërtesës së Komunës, çka do të ndihmojë në lehtësimin e problemeve në komnikacioni, sidomos gjatë sezonit turistik.