Aktuale Më shumë

Kanalizimi në Mal të Bardhë del në rrugë. Banorët kanë frikë nga sëmundjet

Prej tvteuta18:25, 29 Korrik 2022

Edhe pse në pamje të parë duket sikur kjo është  rrugë në një qytet të shkatërruar ukrainas, e keni gabim. Kjo është një nga rrugët që duket qartë se nuk ka qenë prioritet për autoritetet vendore për sa i përket investimeve, përveç atij që përfunsoi para pak kohëve. Banorët e Malit të Bardhë, të cilët banojnë pranë ish-ndërmarrjes së ndërtimit, përballen me erën e keqe nga ujërat e zeza që rrjedhin rrugëve prej disa muajsh. Një nga banorët thotë se autoritetet kanë dashur të përdorin një zgjidhje të përkohshme për të lëvizur një tub që do të kalonte pikërisht pranë shtëpisë së banorëve, gjë që nuk e kanë pranuar.

“Kemi kontaktuar me autoritetet, ata kanë qenë aty dhe kanë thënë se do të vijnë pas një ose dy ditësh, nuk ka ardhur njeri… Na kanë thënë që nuk mund të bëhet asgjë , ne vetëm kërkojmë që kjo të zgjidhet përkohësisht”, thotë një nga banorët Emro Kovaç.

Nuk është sekret se një numër i madh i shtëpive në këtë zonë janë ndërtuar pa leje, çka do të thotë se shumica e tyre nuk janë të lidhura me kanalizim, ndërkohë që disa i kanë ndërtuar vetë gropat septike.  Për ta bërë situatën edhe më të rëndë, në këtë rrugë enden edhe turistë të shumtë, të cilët e trajtojnë atë si një rrugë alternative, më të shkurtër për në Plazhin e Vogël dhe Qytetin e Vjetër për shkak të udhëzimeve në Google Maps. Disa prej tyre, siç na thanë banorët e zonës, i kanë dëmtuar automjetet. Kujtojmë se në kuadër të projektit të Komunës së Ulqinit është realizuar rrjeti i ri i kanalizimit , që dhe është një ndër investimet e rralla në këtë vendbanim të lënë pas dore, mirëpo kyçja e shtëpive ende nuk është kryer. Banorët e Malit të Bardhë, përveç problemit me ujërat e zeza, apelojnë tek autoritetet vendore që të merren edhe me problemin e ndërmarrjes së braktisur të ndërtimit, rreth së cilës po lindin deponi, ku grumbullohen dhjetëra qen endacakë.

  • 1

    Radio