Rajoni/Bota Më shumë

Kamberi: Raporti i DASH-it godet ashpër Serbinë për diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve

Prej tvteuta17:02, 21 Mars 2023

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Departamenti Amerikan i Shtetit në Raportin për Praktikat e të Drejtave të Njeriut për vitin 2022, ka potencuar diskriminimin etnik të shqiptarëve.

Kamberi ka deklaruar se në Raportin për Serbinë, në seksionin me titull “Dhuna dhe Diskriminimi Sistemik Racor apo Etnik” (faqe 30-32), goditet ashpër Serbia për diskriminimin sistematik shtetëror e institucional që siç ka thënë ai, ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës po zbatohet ndër vite.
“’Shqiptarët etnikë ishin subjekt i diskriminimit dhe papunësisë… Qeveria padrejtësisht i bëri shqiptarët subjekt të pasivizimit për të zvogëluar numrin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi”, thekson Raporti i DASH, shkruan Kamberi.

“‘Aplikimi i këtij ligji për të targetuar shqiptarët nënkupton spastrim etnik përmes masave administrative’, siç është potencuar edhe në raportin e Komisionit të Helsinkit të Serbisë, vazhdon tutje Raporti, duke potencuar se ‘autoritetet serbe duhet ndaluar të gjitha praktikat diskriminuese ndaj minoriteteve etnike’, përfshirë këtu edhe “gjuhën fyese e të urrejtjes,” kryesisht të përdorur publikisht nga zyrtarët shtetëror serb sikurse shefi i Shërbimit serb të inteligjencës (BIA) A. Vulin”, ka shkruar deputeti në Facebook.

Tutje, Kamberi ka thënë se raporti i DASH-it nënvizon edhe çështjen e nënpërfaqësimit të shqiptarëve nëpër institucionet publike e shtetërore, që “është forma më e vrazhdë e diskriminimit dhe mosrespektimit të obligimeve ndaj komunitetit shqiptar, të cilat Serbia i ka marrë me tre marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit shqiptarë: 2001, 2009 dhe 2013”.

  • 1

    Radio