ISHP sugjeron: Orët 30 minuta, të gjithë me maska

Prej tvteuta16:15, 23 Gusht 2021

Orët mësimore  në vitin e ri shkollor do të zgjasin 30 minuta, ndërsa punonjësit dhe nxënësit duhet të mbajnë maska, është sugjerimi i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).

Drejtori i këtij instituti, Igor Galiq, i tha agjencisë MINA se i propozuan këto masa duke respektuar shëndetin fizik dhe mendor, si dhe të gjitha sferat e tjera të mirëqenies së fëmijëve dhe komunitetit. Galiq tha se pjesëmarrja në klasa online është një alternativë për ata që nuk duan të mbajnë maska. Ai shtoi se rekomandimet e institutit janë që fëmijët të mund të sjellin ushqim dhe pije në shkollë por ndalohet ndarja me të tjerët.

Instituti gjithashtu rekomandon  që pushimi i madh të mbahet jashtë pa detyrim për të mbajtur maska, dhe që në hyrje të shkollës të bëhet  matja e temperaturës, si për punonjësit ashtu edhe për fëmijët, si dhe dezinfektimi i duarve.

Galiq sqaron se në rast të ndonjë rasti pozitiv tek fëmijët ose punonjësit e shkollës, përcaktohet masa e izolimit për personin e infektuar, kurse të gjithë të tjerët që mbanin maska ​​gjatë gjithë kohës mbeten në procesin e punës apo mësimit dhe do të testohen.

Për fillim, Ministria e Shëndetësisë do të sigurojë rreth 120,000 maska ​​për nxënësit, kurse vendimin përfundimtar për masat do ta japë Ministria e Arsimit.

 

  • 1

    Radio