Interi fiton Superkupën e Italisë
Prej tvteuta15:55, 19 Janar 2023

Interi ka dominuar dhe e ka fituar trofeun e Superkupës së Italisë 2022 për herën e dytë rresht. “Nerazzurrët” të mërkurën mbrëma mposhtën Milanin me rezultatin 3:0, me dy gola të shënuar në pjesën e parë, dhe një në pjesën e dytë të ndeshjes.
Ky ballafaqim u zhvillua në Riad të Arabisë Saudite, në stadiumin “King Fahd International”. Golat e pjesës së parë u shënuan nga Federico Dimarco në minutën e 10-të kur u asistua nga Nicolo Barella, dhe Edin Xheko në minutën e 21-të, pasi bashkëveproi me Alessandro Bastonin.
Në pjesën e dytë shënoi edhe Lautaro Martinez, fituesi i Botërorit me Argjentinën, në minutën e 77-të. Kristjan Asllani luajti për Interin nga minuta e 84-t. Me këtë triumf, Interi barazohet me “rossonerët” sa u përket trofeve të Superkupës së Italisë, me nga shtatë gjithsej. Interi edhe në edicionin e fundit kishte dalë fitues në takimin ku përballet fituesi i Kupës dhe i ligës italiane.