I dyshuari për gërmimin e tunelit nën Gj.L është automekanik
Prej tvteuta16:23, 23 Shtator 2023
Pas informacioneve të publikuara dje në konferencën për media nga ministri i Brendshëm, Filip Axhiq, i cili zbuloi identitetin e katër personave të dyshuar për hapjen e një tuneli nga një banesë private në depon e Gjykatës së Lartë, ka informacione se një prej të dyshuarve, Vladimir Eriq, është i punësuar në një servis për riparimin e automjeteve.
Axhiq tha se hetimet e deritanishme kanë zbuluar se në krim kanë marrë pjesë Veljko Markoviq, Milan Markoviq, Dejan Jovanoviq dhe Vladimir Eriq, të cilët janë të gjithë shtetas të Serbisë.
Ai në konferencën për media ka treguar fotot e tyre dhe ka kërkuar ndihmën e Serbisë apo vendeve ku ata ndodhen, që të arrestohen sa më shpejt, duke qenë se, siç tha ai, janë larguar nga Mali i Zi pas zbulimit të tunelit.
Policia është në kërkim të Kristina Baçoviqit nga Podgorica, për shkak të dyshimit se është pjesë e një grupi kriminal që ka vjedhur provat nga depoja e Gjykatës së Lartë.
Pak ditë më parë ajo ka humbur çdo gjurmë dhe policia e prokuroria po përcaktojnë nëse ka shfrytëzuar në krim edhe nënën e saj, e cila është përgjegjëse e regjistrit gjyqësor.
U vu në dukje se fadromat kanë pasur ndihmën e një personi të Gjykatës së Lartë, si dhe se ata janë të lidhur me anëtarë të një organizate kriminale që vuan dënimin në burgun e Spuzit.
Ministri Axhiq shtoi më tej se janë në gjurmët e zbulimit të motivit. Ai tha se ende nuk dihet se cili është motivi i vërtetë, por sigurisht se janë një hap më afër së vërtetës.
Sipas tij të dyshuarit u larguan nga Mali i Zi më 11 shtator, në të njëjtën ditë kur u zbulua tuneli për në deponë e Gjykatës së Lartë.
Ndaj katër të identifikuarve, si dhe ndaj dy personave të panjohur janë ngritur kallëzime penale, tha Axhiq, duke shtuar se ata kishin së paku pesë bashkëpunëtorë të tjerë.
Ata akuzohen edhe për veprën penale të organizatës kriminale dhe vjedhjes së provave gjyqësore.