Aktuale Më shumë

“Humbja” e Mark Pashkut erdhi në Ulqin pas shpërblimit në Prishtinë

Prej tvteuta18:35, 13 Maj 2022

“Humbja”, mban titullin vepra e autorit nga Malësia, Mark Pashku. Në Prishtinë, mori shpërblimin Rexhaiu Surroi për letërsi të vitit 2021. Ky shpërblim i dha një tjetër dimension promovimit të këtij libri në Ulqin, e pikërisht në librarinë “Ulqini”

Studiuesi e kritiku Nikollë Berishaj tha se vjen një situatë kur për artistin fillojnë të zhduken kufijtë. ”Është hera e parë që një autor nga Malësia të shpërblehet me një çmim kaq të lartë”, u shpreh ai.

Ndërsa kryetari i Këshilli Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, u shpreh: “Kam një fjalë përshëndetëse për të gjithë kritikët e sigurisht për vlerësimin që një shqiptar nga Mali i Zi vlerësohet me këtë çmim kaq të lartë për krijimtarinë letrare e posaçërisht në prozë. E ky është një inkurajim për Markun dhe për të gjithë krijuesit potencialë”.

E pranishme në këtë promovim ishte edhe drejtoresha menaxhuese e Gruput KOHA, Flaka Surroi, pranisa e së cilës u çmua shumë.

“Ashtu siç ky do të mund të konsiderohej triumf për Tuzin e Malësinë, shumë do të doja që në të ardhmen të kemi edhe garues, por edhe fitues nga Ulqini – sepse jam e sigurt se talenti është këtu, porse vetëm duhet guximi si i Markut për ta provuar fatin”, tha ndër të tjera Surroi.

Ndërsa autori Mark Pashku, mes emocionesh u shpreh: “Vetë prania ime mes jush, vetë prania juaj krah meje, krah meje e librit, vetë prania e Flaka Surroit, e Kosovës, është një ngjarje e veçantë për të gjithë ne. Gjithmonë për ta mbërthyer këmishën duhet një pullë: Kosova gjithmonë e ka luajtur rolin për ta mbërthyer këmishën e shqiptarëve të Malit të Zi në të gjitha sferat, qoftë kulturore apo politike”.

  • 1

    Radio