Kulturë Më shumë

“Hienat e Pinjeshit”, roman i ri i Ibrahim Berjashit

Prej tvteuta11:10, 17 Tetor 2020

Në kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, shkrimtari dhe gazetari Ibrahim Berjashi botoi këto ditë romanin e ri, me një titull simbolik, “Hienat e Pinjeshit”.

Një kompleks i tërë personazhesh krijojnë një tërësi sublime të të rrëfyerit në prozë. Brenda kopertinave ndodhet një botë e tërë e ngjarjeve si pasojë e veprimeve të “njerëzve të nëntokës”.

Këto zhvillime sillen rreth e rrotull globit, për t’u plasur në kodrën e Pinjeshit, mbi qytetin e  Ulqinit. Hienat, krijesa të shëmtuara mishngrënëse, trashëgohen brez pas brezi, duke nisur nga fillimi i shekullit të kaluar për të vazhduar sot e kësaj dite. Sheshiri, topall me hundë të  shtrembër, dhe Sallaku leshverdhë, i hollë si fije kallami, kanë “ngrënë” njerëz. Në shënjestër ishin studentet, vajzat e bukura, jetimet, gratë e divorcuara…

Redaktor i librit është studiuesi e publicisti Hajrullah Hajdari, recensent poeti e publicisti Ali Gjeçbritaj, ndërsa pikturën në ballinë e ka punuar Demush R. Avdimetaj. Libri është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Malin e Zi dhe është shtypur në shtypshkronjën “Press Studio” – Ulqin.

Ibrahim Berjashi është autor i 15 veprave letrare, në poezi dhe prozë, për të rritur dhe fëmijë. Ky është romani i tij i tretë.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 150 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

  • 1

    Radio