Harris, zyrtarisht kandidate për presidente: Do t`i drejtoj të gjithë amerikanët njësoj!
Prej tvteuta13:35, 23 Gusht 2024
Në mbrëmjen finale të Konventës Kombëtare Demokrate, Kamala Harris pranoi zyrtarisht emërimin e parties së saj si kandidate për presidente. Përpara një turme entuziaste, Harris u zotua t`i drejtojë të gjithë amerikanët pa dallim në një “rrugë të re përpara”. Në këto zgjedhje, kombi ynë ka një mundësi të çmuar, për të kapërcyer hidhërimin, cinizmin dhe betejat përçarëse të së kaluarës.
Një shans për të përcaktuar një rrugë të re përpara, jo si anëtarë të një partie apo fraksioni, por si amerikanë. Kamala Harris u bë kështu gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë nga Azia Jugore që merr emërimin e kandidates për presidentë nga një parti e madhe. Nëse ajo zgjidhet në 5 nëntor, do të jetë presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të jem një presidente që na bashkon të gjithëve rreth aspiratave tona më të mëdha. Një presidente që udhëheq e dëgjon, që është realiste, praktike. Që vepron në mënyrë të arsyeshme dhe gjithmonë lufton për popullin amerikan.
Nga gjykata në Shtëpinë e Bardhë, kjo ka qenë puna e jetës sime”, tha ajo. Një pjesë të mirë të fjalimit të saj zonja Harris ia kushtoi prejardhjes dhe familjes së saj, me një nënë që bëri shumë për të rritur, atë dhe motrën e saj. Ajo insistoi se një klasë e mesme e fortë ka qenë gjithmonë jetike për suksesin e Amerikës dhe ndërtimi i kësaj klase të mesme do të jetë një qëllim përcaktues i presidencës së saj, duke kujtuar se vjen edhe vetë nga një shtresë e tillë. Tema të tjera kyçe të fjalimit përfshinin mbrojtjen e të drejtës për abort, unitetin dhe aspiratat e klasës punëtore.
Harris bëri thirrje gjithashtu për një armëpushim në Gaza, por nuk iu drejtua drejtpërdrejt protestave që po zhvillohen jashtë konventës për mbështetjen e SHBA-së për Izraelin. Rivali republikan Donald Trump reagoi në rrjetet sociale me komentin: “Pse ajo si zv/presidente nuk bëri diçka për gjërat për të cilat ankohet?”. Demokratët i ka kapluar një valë entuziasmi që kur u mësua se Harris do të ishte kandidatja e tyre, por sondazhet sugjerojnë se gara për zgjedhjet presidenciaole mbetet jashtëzakonisht e ngushtë.