Hapja e urës së Ibrit, DASH- Rrezik për dhunë, veprim i njëanshëm
Prej tvteuta12:25, 15 Gusht 2024
‘Hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë’. Kështu ka deklaruar Departamenti amerikan i Shtetit teksa i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të mos ta ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar dhe të njëashëm.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës.
“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të Quintit, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht”, shprehet më tej zëdhësi për Zërin e Amerikës.
Departamenti i Shtetit thotë se objektivi i Shteteve të Bashkuara është që të punojnë me qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura të mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se hapja e urës nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës. Sipas Kurtit hapja e urës i shërben lëvizjes së lirë.
Gjatë këtyre ditëve KFOR ka shtuar praninë e tyre në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë.