Opinion Më shumë

Hajrullah Hajdari: TË DREJTAT E SHQIPTARËVE TË RREGULLOHEN ME NORMA DETYRUESE (IMPERATIVE) E JO DEKLARATIVE

Prej tvteuta09:16, 8 Nëntor 2019

Strategjia, e propozuar, politike e pakicave në kapitullin „Qëllimi dhe masat e Strategjisë“ në fushën e arsimit, mendoi se është e padrejtë dhe nën nivelin e plan-programeve të kohës së mëparshme, ndaj duhet kërkuar ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve sistemore në fushën e arsimit me qellim të përmirësimit të plan-programeve mësimore sidomos të gjuhës shqipe, historisë kombëtare, muzikës dhe artit, e cila do të fuqizohej me një garanci të përgjithshme kushtetuese e jo të lihet në mëshirën e institucionit apo individit.

            Në fushën e punësimit Strategjia  gjithashtu e njeh rëndësinë e ushtrimit të së drejtës së punësimit dhe promovimit të  barazisë së kushteve dhe rëndësinë e supozimeve fillëstare kur bëhet fjalë për mundësinë e punësimit të pjesëtarëve të pakicave. Për të arritur këtë qëllim, faktori shqiptar duhet të kërkojë aprovimin e një kornize ligjore imperative me mekanizëm mbrojtës për mosrealizimin, e cila do të sigurojë, sëpaku, punësimin proporcional të shqiptarëve në administratën Publike, organet Gjyqësor dhe në organet Ekzekutiv në të gjitha instancat shtetërore jo vetëm në vende pune por edhe në pozitat udhëheqëse.

Në fushën e pjesëmarrjes politike të pakicave propozuesi i Strategjisë i referohet nenit  79 të Kushtetutës së Malit të Zi, sipas të cilit pakicave u garantohet e drejtën e përfshirjes  autentike në organet ligjvënëse, gjyqësore e ligjzbatuese. Megjithate, propozuesi e ka hetuar, se përkundër aspektit afirmativ ekzistues të përfaqësimit të pakicave të përcaktuar në infrastrukturën zgjedhore duhet ndryshuar Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputeteve   me qellim të përfaqësimit adekuat të pakicave ( në rastin konkret të shqiptarëve dhe romëve). Këtu më të drejtë shqiptarët duhet të ngulin këmbë dhe të kërkojnë garanci për aplikimin e parimit afirmativ të përfaqësimit të Pakicave , sëpaku, në nivelin e të drejtave të arritura jo gjekundi por në Mal të Zi, të kërkojnë zbatimin e një prej formulave që janë aplikuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, 1998, 2001,2002,2006 dhe 2009, kur shqiptarët siguruan 4 ulëse në parlamentin e Malit të Zi. Është rasti që korniza ligjore zgjedhore të avansohet  dhe të aprovohet një mekanizem institucional i qendrueshëm e i garantuar me Kushtetutën e vendit i cili do të mundësoi përmirësimin e përfaqësimit të pakicave në bazë të udhëzimeve të organizatave ndërkombëtare dhe praktikës së mirë të përfaqësimit të pakicave në rajon si në Slloveni, Kroaci e Kosovë. Për këtë fushë propozuesi ngarkon me detyrë dhe përgjegjësi Kuvendin pra deputetin shqiptar dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.Padyshim obligim dhe përgjegjësi. Pamarr parasysh deshirën e propozuesit, me rëndësi është gadishmëria e pushtetit për kthimin e Ligjit në fjalë në gjëndjen e mëparshme dhe këthimi i të drejtave të arritura në këtë fushë. Në të kundërtën, është e ditur se Kuvendi i Malit të Zi mund të funksionojë edhe pa shqiptarë, deputeti, ministri, partitë politike shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të jenë të vëndosur, ska pse të jenë pjesë përbërëse e atyre institucioneve, duhet ti bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.   

Edhe në fushën e Kulturës dhe Identitetit të Pakicave propozuesi i Strategjisë ka vrejtur mëngësit dhe ka bërë propozime që ndikojnë pozitivisht në ruajtjen e kulturës, traditës dhe identitetit kombëtarë të Pakicave. Një ndër qellimet e përcaktuara është ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për simbolet kombëtare. Ligji i përmendur ka vite më parë ka qenë në shqyrtim publik por ende nuk është aprovuar. Ashtu si është propozuar, neni 8 i Ligjit, përseri nuk mundëson përdorimin e lirë të flamurit Kombëtar. Shqiptarët duhet të kërkojnë që flamuri Kombëtar të ngritet në të gjitha institucionet publike, në institucionet shteterore dhe ekonomike në njësit vendore  ku shqiptarët janë në shumicë? Të mos harrojmë se kjo e drejtë ishte shumë më e avansuar në shtetin e Jugosllavisë komuniste kur flamuri shqiptar, krahas atyre shtetërore e komunist, vëndosej edhe në gjykata, edhe në shkolla, edhe ndermarrje ekonomike edhe në polici. Në rast se një gjë e tillë do të lejohej shqiptarët nuk do fitonin një të drejtë shtesë ato do kthenin vetëm një të drejtë të arritur më parë. Ky nivel i përdorimit duhet të jetë minimumi i kërkesës së shqiptarëve dhe nuk duhet pranuar asnjë zgjidhje tjetër.

Qellim tjetër i propozuesit në këtë fushë është poromovimi dhe implementimi i zgjidhjeve pozitive-ligjore nga fusha e përdorimit të gjuhës së pjesëtarëve të popujve pakicë. Mendoj se këtij pozicion duhet t’i kushtohet një vëmendje më e madhe dhe duhet të rregullohet konformë standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të Pakicave, veçanërisht duhet marrë për bazë Deklaratën Europiane mbi gjuhet regjionale dhe gjuhet e Pakicave, sepse kemi të bëjmë me një të drejtë fundamentale për shprehjen e lirë dhe pa presion të identitetit kombëtar të Pakicave. Sa i përket përdorimit të gjuhës, veçanërisht gjuhës shqipe, në administratën shtetërore dhe në gjykata të parapara në Strategjinë e vitit 2008, duhet theksuar  se është një bazë e mire për veprim edhe pse ekzistojnë shumë paqartësi normative dhe hamendime e posaçerisht mungon mekanizmi mbrojtës i realizimit të këtyre të drejtave gjegjësisht mungon përgjegjësia për mosveprimin e organeve shtetërore dhe gjyqësore. Për këtë arsye faktori shqiptar duhet fillimisht të definojë pozitën e pushtetit aktual në lidhje me gatshmërinë e shtetit për të marrë përgjegjësinë për zbatimin apo moszbatimin, përshembull të përdorimit të gjuhës shqipe në gjykatat komunale në Ulqin, Tuz, Tivar  apo Guci, udhëheqjen e procedures administrative dhe  gjyqësore  dhe dhënjen e vendimit edhe në gjuhën shqipe, të drejtën e mbrojtjes, parashtrimit të kërkesave dhe ankesave në gjuhën shqipe. Thënë ndryshe baza juridike ndërkombëtare dhe deridiku edhe e brëndshme ekziston, mungojnë mekanizmat mbrojtëse dhe vullneti i shtetit. Prandaj faktori politikë shqiptar dhe përfaqësuesit shqiptarë në të gjitha institucionet dhe nivelet e pushtetit pa tjetër duhet të kërkojnë përgjegjësi për të gjithë ata që nuk zbatojnë ligjin në këtë fushë dhe të kërkojnë rregullimin me norma imperative të këtyre të drejtave, në të kundërten me norma deklarative jemi mësuar e jemi knaqur. 

Lidhur më sa ceka më lartë, del qartë obligimi dhe përgjegjësia e individeve dhe instucioneve, në radhë të parë të minstrit dhe deputetit shqiptar, e Këshillit kombëtar të Shqiptarëve dhe partive politike shqiptare, për angazhimin e tyre në përmirësimin e Strategjisë në fjalë dhe implementimin e kërkesave të shqiptarëve në këtë akt me rëndësi.

  • 1

    Radio