Opinion Më shumë

H.Hajdari: Firmat dhe reklamat në objektet afariste shqiptarët i shkruajn vetën në gjuhën malazeze

Prej tvteuta10:55, 19 Qershor 2020

Është koha që shqiptarët në Mal të Zi të mendojnë për ristrukturimin e faktorit politik shqiptar, me  qëllim të nxitjes së një zgjimi kombëtar dhe të kundërvënies intelektuale doktrines malazeze  sipas të cilës “ shqiptarët janë të paaftë të qeverisin e të mbrojnë vlerat e tyre kombëtare” ose “ata nuk meritojnë më shumë”..

Shkrimi i emrit të firmës në vend të dukshëm është obligim i çdo sipërmarrësi, ndërsa shkrimi i reklamave është vullnatar dhe ka për qëllim përfitimin. Për fat të keq,  kohëve të fundit, gjithnjë e më shumë, pronarët shqiptarë firmat dhe reklamat, i shkruajnë vetëm në gjuhën malazeze. Ndërkaq, shumë pronarë të kombësisë malazeze firmat e sidomos reklamat i shkruajnë në të dyja gjuhët.

Mali i Zi është i definuar si shtet qytetar, demokratik, ekologjik dhe shtet i së drejtës sociale, i bazuar në sundimin e ligjit. Në kapitullin “ Të drejtat e veçanta të pakicave” Kushtetuta e Malit të Zi, ndër të tjera, garanton shprehjen, ruajtjen,zhvillimin dhe manifestimin publik të veçantisë nacionale, etnike, kulturore dhe fetare si dhe përdorimin e gjuhës dhe të alfabetit të vet në përdorim privat, publik dhe zyrtar.

Këto ditë me rastisi të hyj në disa firma private, ku pronarët janë shqiptarë, madje edhe politikanë. Qëllimi im, këtë here, nuk ishte të mbledh statistika mbi përqindjen e shkrimit të firmave dhe reklamave në gjuhën shqipe, thjesht po bëja tregti. Në shitoren e parë që hyra nuk hasa asnjë fjalë shqip. Firma, artikujt dhe çmimet si edhe orari i punës ishin të shkruara vetëm në gjuhën malazeze!.Rastësisht aty e takova edhe pronarin i cili në pyetjen time. “pse nuk i shkruan, së paku artikujt dhe orarin e punës në gjuhën shqipe ?” mu përgjigj:” Kështu e kam më mirë, kalojë me lehtë me inspeksion” ! I thashë se kjo s’e arsyeton qëndrimin e tij.  Pastaj me tha se “kështu edhe me duhet sepse kam shumë myshterinj nga Tivari, Budva etj ”Aha”, i thashë, “d.m.th. se ti shikon interesin e myshterinjve malazez, e sa për shqiptarë nuk e paske hallin fare”. “Jo” tha, “por shqiptarët tanë të gjithë flasin dhe e kuptojnë edhe gjuhën  malazeze?!” U largova nga kjo shitore duke menduar se është një rast i veçantë apo i izoluar!

Në vendin ku u gjeta pastaj, kishte shumë shitore të profileve të ndryshme, madje dhe të pronarëve të ndryshëm, port ë gjithë shqiptar! Pa hyrë në asnjërin prej tyre, edhe pse kisha qenë disa herë, u befasova. Asnjë fjalë në objektet afariste, rreth e përqark, nuk ishte e shkruar në gjuhën shqipe. Reklamat, të cilat shënonin veprimtarinë e shitoreve ishin shkruar në murë të bardhë, me ngjyrë të kaltërt, vetëm në gjuhën malazeze! Thash me vete, sigurisht edhe këta  myshterinjtë i paskan nga Tivari, Budva, Podgorica….

 

 

Hyra brenda, të gjithë flitnin shqip, të gjithë myshterinjët ishin nga Ulqini. Kështu, pothuaj, në më shumë se 60% të rasteve, pronarët shqiptarë, në reklamimin e prodhimeve dhe veprimtarisë së tyre  nuk e përdorin alfabetin dhe gjuhën e vet amtare. Për faj të kujt ? Kushtetuta dhe ligjet e shtetit e lejojnë një veprim të tillë!

As ky veprim i sipërmarrësve shqiptarë ndoshta s’ka asgjë të keqe, përveç faktit të nënçmimit të vetvetës dhe kombit shqiptar në përgjithësi. Qeveria e Malit të Zi, në mbështetje të Kushtetutës së saj dhe dokumentave të ratifikuara ndërkombëtare, ka përcaktuar dhe aprovuar dokumentin mbi Strategjinë e politikave të pakicave. Në kapitullin “Qëllimi strategjik në lëmin e kulturës dhe identitetit të pakicave” në pikën 3.1.4. ka identifikuar, si qëllim operativ, promovimin dhe implementimin e zgjidhjeve pozitive-juridike nga lëmi i përdorimit të gjuhës amtare të pakicave dhe ka konstatua se 4’0% e të punsuarëve janë të njoftuar për nevojën e përdorimit të gjuhës amtare të pakicave në nivelin lokal. Shtrohet pyetja: Politikanët shqiptarë që merren me biznes privat, por edhe të tjerët, a janë në mesin e atyre, 40% të cilët janë në dijeni të përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip, apo ndoshta edhe ata kalojnë më mirë me inspeksion, kanë më shumë myshterinj malazezë se sa shqiptarë, apo ndoshta kalojnë më mirë edhe me politikë?! Një gjë është e sigurtë se ata politikanë, vite me radhë pa u skuqur fare, votat i kërkojnë ( dhe deri më tani edhe ju kemi dhënë) në emër të shqiptarizmit! Siç theksuam shteti i ka hapur rrugët, ndërsa elita politike shqiptare i mbyll ata në mënyrë të perfeksionuar, duke flirtuar e punuar me partinë-shtet, vetëm që të qëndrojë në pushtet sa më gjatë, mbase edhe për të përfituar. Se a flitet apo shkruhet shqip s’ka rëndësi! Ky veprim i tillë me duket më pak perfektsionizëm e më tepër demagogji politike. Perfeksionizmi është gabim i një intelektuali i kryer nga intelektuali, ndërkaq, demagogjia është një llogari e leverdishme.Pra, me demagogji politike nënkuptojmë mashtrimin e popullit nga politikanët të cilët me fjalë të bukura e me premtime që asnjëherë, pothuajse, nuk i realizohen, i bëjnë për vete  për synime e qëllime të caktuara politike, pra ndryshe flasin e ndryshe veprojnë! Në ekonominë e tregut, konkurenca i nënshtrohet kontrollit të konsumatorit,madje edhe të ligjit sepse mashtrimi dënohet, ndërkaq  politikani që shet mjegull ( tashe e 20 vite me radhë), gënjeshtra apo propogandë shpesh arrin t’a shes atë si të vërtet dhe nuk dënohet.

Shkrimi i firmave, reklamave dhe veprimtarive të sipërmarrsëve tanë shqiptarë, në gjuhën shqipe nuk është aq i rëndësishëm sot sa mund të jetë i rëndësishëm nesër! Edhe teknologjia më modern nëse nuk përdoret një kohë të gjatë e humb efektin e saj, ashtu si nesër, për shkak të mos shfrytëzimit të drejtës për të shkruar edhe shqip nga vet shqiptarët, shteti mund të konkludojë se kjo normë duhet hequr, pasi shqiptarëve nuk u nevojitet. Mu për këtë politikani shqiptarë por edhe vet populli, duhet të veprojnë me ndërgjegje kombëtare e t’i shfrytëzojnë të gjitha të drejtat e parapara me Kushtetutë në mënyrë që nesër politika mos epërdorë si alibi vetë sjelljen e shqiptarëve. Populli (votuesi) duhet të kërkojë përgjegjësi përfaqësuesit të vet politikë për të gjitha që premton e nuk i realizon, së paku në lëmin e identitetit kombëtar. Është e vërtetë se ne si shoqëri apo kolektivitet, të ndarë në 7-8 copa, ligjërisht jemi të pafuqishëm të pengojmë dhe të ndëshkojmë politikanin e pandërgjegjshëm që punon vetëm për interest e veta. E vetmja mundësi për ta korrigjuar apo ndërgjegjësuar është që të bashkohemi si një trup politik, duke lënë anash përkatësinë partiake, tu kërkojmë llogari dhe përgjegjësi përfaqësuesëve tanë legjislativë dhe ekzekutivë, t’ua bëjmë me dije se nuk lejojmë më të mashtrohemi, të paktën jo tërë kohën, nuk lejojmë më që çështjet fundamentale të pësojnë për hir të interesave personale apo partiake.

  • Parandalimi i këtyre dukurive është obligim i elitës politike shqiptare

Këto dukuri e shumë të tjera të dëmshme si këto duhet të parandalohen. Kush më shumë se politika dhe politikantët shqiptarë janë përgjegjës për përhapjen e këtyre dukurive negative? Atyre populli u ka bësuar fatin e tyre dhe ata duhet të veprojnë. Si rrezulltat i mosmarrveshjeve, mosbashkpunimit apo mmosbashkërendimit të kërkesave kundrejt pushtetit, sot shqiptarët përfaqësohen në parlamentin e Malit të Zi vetëm më një deputet. Demokracia nuk është vetëm votime dhe tërheqje litari.Ajo është po ashtu një sistem që e bënë debatin, veprimin dhe angazhimin dukuri të përditshme. Politikani ka detyra dhe obligime që duhet ti kryejë me përkushtim e ndërgjegje kombëtare, në të mirë të popullit.Ai është zgjedhur nga populli që të marrë vendime politike. Demokraci është të tërhiqejsh në momentitn kur parimet kushtetuese janë shkelur, kur ti nuk ke mundësi të ndikosh më për të mirën e votuasit tënd.Politika bëhët në kuvend edhe pse je në pakicë. Por s’është demokratike të uzurposh vëndin e të tjetërsosh vullnetin e votuesit tënd. Aty ku janë të pranishme faktet, fjalët bëhën të panevojshme. Të vëndosësh për veten, e jo të tjerët të vëndosin për ty – është tharm i drejtësisë.Në qoftë se jemi bindur se asgjë s’na zbret prej qiellit e gatitur dhe e gatuar, atëherë duhet të veprojmë dhe të përpiqemi të arrijmë qëllimin…

  • Të nxjerrim mësime nga dukurit negative. Bashkëpunimi dhe bashkërëndimi i partive politike kusht i domosdoshëm.

Elita politike shqiptare në Mal të Zi, parasegjithash, por edhe edhe vet populli shqiptarë, më shumë se kurrë kanë nevojë për bashkëpunim apo bashkërendim të mendimit dhe ideve për çështjet kryesore të identitetit kombëtar e mirëqenies në përgjithësi. Elita politike shqiptare  duhet të reflektojë, përndryshe, pas 30 viteve në demokraci,duhet të ballafaqohet me përgjegjësit e saj.  Filozofi, poeti dhe humanisti i njohur spanjolll – amerikan Xhorxh Santajana ka thënë: “ Ata që nuk nxjerrin mësime nga e kaluara e tyre, janë të dënuar ta përserisin atë “

Është koha që shqiptarët në Mal të Zi të mendojnë për ristruktuimin e faktorit politik shqiptar, me  qëllim të nxitjes së një zgjimi kombëtarë dhe të kundërvënies intelektuale doktrines malazeze,  sipas të cilës “ shqiptarët janë të paaftë të qeverisin e të mbrojnë vlerat e tyre kombëtare” ose “ata nuk meritojnë më shumë”.. Kjo edhe për faktin  se ky vit është vit zgjedhor.

 

  • 1

    Radio