Greqi-Itali: Hyn në fuqi marrëveshja për kufijtë detarë
Prej tvteuta10:38, 10 Nëntor 2021
Hyn në fuqi marrëveshja historike mes Italisë dhe Greqisë për kufijtë detarë. Ministri i Jashtëm Nikos Dendias është takuar në Romë me homologun e tij italian Luigi Di Maio.
Marrëveshja parashikon përcaktimin e një zone ekskluzive ekonomike, një zgjerim të kufirit detar në 12 milje mes dy vendeve dhe i jep zgjidhje mosmarrëveshjeve prej një kohe të gjatë për të drejtat e peshkimit në detin Jon, ashtu siç parashikohej edhe në marrëveshjen e mëparshme të vitit 1977.
Greqia dhe Italia ndajnë zonën ekskluzive ekonomike në detin Jon, duke filluar në veri, në zonën e ishujve Diaponte të Othonos-it, shumë pranë brigjeve shqiptare dhe deri në jug të saj në zonën mes ishujve të Kretës dhe Siçilisë.
Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për rajonin e Mesdheut Lindor, veçanërisht në një kohë kur Turqia po kundërshton zonat detare të vendeve fqinje, atë të Greqisë dhe Qipros.
“Për fat të keq, Turqia vazhdon të veprojë në mënyrë të paligjshme, Ankara zgjedh të injorojë parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe vazhdon të kërcënojë Greqinë.”
Di Maio e cilësoi hyrjen në fuqi të marrëveshjes si një ngjarje të rëndësishme për bashkëpunimin në Mesdhe.
“Vetëm nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm dhe konstruktiv midis të gjithë aktorëve në rajon, të cilin Italia do të vazhdojë të inkurajojë, mund të sigurohet stabiliteti në Mesdheun Lindor”
Të dy ministrat më pas nënvizuan forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin brenda Bashkimit Evropian, si dhe çështjet rajonale me rëndësi të veçantë në Libi, Ballkanin Perëndimor, Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme.