Gjuroviq në Forumin e Ministrave të Ekonomisë dhe Financave të Ballkanit Perëndimor
Prej tvteuta15:30, 26 Shtator 2023
Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Goran Gjuroviq ndodhet në Tiranë në Forumin e Ministrave të Ekonomisë dhe Financave të Ballkanit Perëndimor dhe Forumin e Biznesit.
Gjuroviq merr pjesë në këto forume me ftesë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë shqiptare dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, në kuadër të presidencës së këtij vendi të Procesit të Berlinit.
Takimet e sipërpërmendura organizohen në kuadër të përgatitjeve për Samitin e ardhshëm të liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.
Forumit të ministrave të ekonomisë dhe financave të Ballkanit Perëndimor do t’i paraprijë një forum biznesi, në të cilin përveç përfaqësuesve të komuniteteve të biznesit dhe dhomave të tregtisë do të marrin pjesë edhe ministrat e ekonomisë së Ballkanit Perëndimor.
“Forumi do t’i kushtohet temave të krijimit të një mjedisi konkurrues dhe të qëndrueshëm biznesi në rajonin e Ballkanit Perëndimor, promovimi i integrimit ekonomik me synimin e konvergjencës më të mirë me Bashkimin Evropian (BE) dhe qasjes graduale ndaj tregut të vetëm të BE-së, thuhet në njoftim.
Takimi do të rezultojë në përcaktimin e rekomandimeve për përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe konvergjencë më të mirë të rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Gjuroviq do të prezantojë rezultatet kryesore të punës, progresin e arritur në zbatimin e integrimit ekonomik dhe sfidat kryesore në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në.