Gjuroviq: Kuvendi do të vazhdojë me punë
Prej tvteuta15:33, 28 Mars 2023

Kuvendi i Malit të Zi do të vazhdojë punën, tha kryeparlamentarja Danijela Gjuroviq, duke shtuar se Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve përcakton se mandati i tyre përfundon me konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit. Ajo theksoi se kjo është praktikë edhe në disa vende të tjera, anëtare të Bashkimit Evropian.
“Dua të pyes opinionin profesional, duke pasur parasysh se zgjedhjet për president të vendit janë më 2 prill, para kujt dhe ku do të bëjë betimin presidenti i ri dhe si do ta fillojë mandatin nëse Kuvendi nuk funksionon”, tha Gjuroviq. E pyetur nëse kjo do të thotë se do t’i shmangen shqyrtimit të disa ligjeve që janë me rëndësi vendimtare, ajo tha se kjo do të vendoset në kuadër të kolegjiumit.
Lidhur me atë nëse ka legjitimitet për të thirrur seancën për 4 prill, në rend dite të së cilës është propozimi për heqjen e imunitetit të deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve dhe Socialdemokratëve, Gjuroviq u përgjigj se seanca ishte caktuar një ditë para se presidenti Millo Gjukanoviq, të shpërndante Kuvendin.