Aktuale Më shumë

Gjeloshaj: Trillimet e Millatoviqit për të ruajtur kolltukun, është mirë të kemi një Gjykatë Kushtetuese të plot

Prej tvteuta14:23, 4 Janar 2024

Presidenti Jakov Millatoviq, me vendimin që Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e vetëqeverisjes lokale ta kthejë në Kuvend për rivendim, ua ka hequr drejtpërdrejt komunave qindra mijëra euro tatim mbi shitjen e patundshmërive, shkruan Nik Gjeloshaj, Zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Ai kujton se më 1 janar 2024, taksa e shitjes së pasurive të paluajtshme është përgjegjësi e re e komunave në 100 për qind të të ardhurave.

“Që kjo dispozitë të jetë funksionale, është dashur të harmonizohet ligji për financimin e vetëqeverisjeve lokale. Në këtë mënyrë edhe Millatoviq, me vetëdije ose jo, u mundësoi individëve të fitojnë ekstra, pasi të gjithë ata që shesin pasuri të paluajtshme në periudhën deri në ri-miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit nuk do të duhet t’i paguajnë taksa pushteteve lokale”, tha Gjeloshaj.

Gjithashtu, siç beson ai, Millatoviq duhet t’i sqarojë opinionit se për interesat e kujt e ka marrë një vendim të tillë, pasi që ka ndikuar drejtpërdrejt tek Agjencia e Komunikimeve Elektronike për shkak të kthimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për komunikime elektronike.

“Së fundi, meqenëse dy nga tre ligjet që janë kthyer në Kuvend janë nga kompetenca e ministrisë që unë drejtoj, dua të njoftoj opinionin se të gjitha vërejtjet e Millatoviqit – për të cilat ai nuk ka të drejtë, sepse si kryetar i shteti që në mënyrë antikushtetuese i ka marrë kompetencat e Qeverisë, janë të pasakta dhe paraqesin trillim të qëllimshëm për të ruajtur kolltukët për individët, në kurriz të funksionalitetit të shtetit”, tha Gjeloshaj.

Për raste të tilla dhe të ngjashme, vlerëson ai, është shumë e rëndësishme që ne e kemi përfunduar Gjykatën Kushtetuese, që askush të mos lejohet të jetë mbi shtetin, Kushtetutën – as presidenti i shtetit dhe që asnjë individ të mos mundet të shkaktojnë dëme institucioneve për shkak të interesave personale.

 

  • 1

    Radio