Gjeloshaj: Shqiptarët do të kenë gjyqtar edhe në Gjykatën Kushtetuese
Prej tvteuta17 November 2023

Forumi Shqiptar mbështet plotësisht kandidaturën e Faruk Resulbegoviq për postin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, bëri të ditur kryetari i Alternativës Shqiptare dhe zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj. “Integrimi dhe faktorizimi i profesionistëve dhe intelektualëve të dalluar që i përkasin popullit shqiptar po rritet çdo ditë e më shumë, që është një tjetër dëshmi se politika e Forumit Shqiptar është shumë superiore dhe hap mundësi që personeli profesional të dalë në pah përmes pjesëmarrjes sonë në Qeveri”, ka shkruar Gjeloshaj në Facebook. Kompletimi i institucioneve të drejtësisë është, siç thotë Gjeloshaj, prioritet i Qeverisë së Malit të Zi dhe, siç shton ai, rruga evropiane është e zhbllokuar në dialogun me opozitën. “Përveç menaxhimit të komunave, kërkesave të ministrive dhe administratave, tani mund të shtojmë edhe një arritje tjetër, pra do të kemi një gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Faruku nuk do të jetë gjyqtar vetëm se është shqiptar, ai do të jetë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese sepse i ka të gjitha kualifikimet profesionale për një post kaq të rëndësishëm”, përfundoi Gjeloshaj.