Opinion Më shumë

Gjekë Gjonaj:Shotë ( Sherif) Muji Gjokaj, humanisti i Malësisë

Prej tvteuta22:34, 29 Qershor 2019

Shotë ( Sherif)  Muji Gjokaj, humanisti i Malësisë

Gjekë Gjonaj

Ka  shumë vite që kisha dëgjuar  ndër malësorë fjalë miradije për bujarinë, fisnikërinë dhe bamirësinë e Shotë Mujit Gjokaj, i cili tash 45 vjet jeton në Beograd.   Po ashtu edhe për vëllezërit, prindërit dhe paraardhësit e familjes së tij, të cilët u dalluan në Malësi për vepra të mëdha njerëzore që përmenden edhe sot.  Këtë burrë,  86 vjeç, por vital për moshën , e takova për herë të parë para pak ditësh në Hotelin “ Liria” në Tuz, ku kishte ardhur për pushime. Atë mëngjes qershori me diell ai ishte ulur nën hijen  e një lisi në tarracën e hotelit bashkë me disa  njerëz. Sapo u njoftua për interesimin tim  menjëherë m’u bashkangjitë. U përshëndetëm në këmbë dhe pastaj u  ulë përballë  meje.

– Ju jeni Sherif Muji  Gjokaj, apo jo? , e pyeta .

– Sipas dokumentave po.  Por mua nuk më njeh kush në Malësi me këtë emër.  Të gjithë malësorët më njohin  emrin  Shotë Muji, e jo  Sherif.  Kështu më  thërrasin mua  dhe kështu ma shkruej edhe ti emrin tim, m’u përgjig ai, duke më njoftuar se emrin Shotë ia ka dhënë një kushëri i tij i besimit katolik.     

Nga biseda me këtë burrë të ndershëm të fisit të njohur Gjokaj  mësova se    ka   lindur në vitin 1933 në fshatin Milesh afër Tuzit dhe se është i biri i  Muj Muratit dhe  Tixhe Alisë (nipes së   Çun Mules, bajraktarit të   Hotit).

U edukua në një familje të mirënjohur atdhetare dhe fisnike, në kushte pak më të  nira ekonomike se familjet e tjera në fshatin e tij të lindjes, meqë familja  e tij për atë kohë konsiderohej ndër më të pasurat në Grudë.    Familja e tij mbante  deri në  800 dele, e bagëti tjera të trasha. Përveç blektorisë  veprimtari tjetër ekonomike e kësaj familje ishte bujqësia. Për të mbajtur ekonominë e tyre shtëpiake u duheshin punëtorë krahu. Andaj edhe Shotës, që në fëmijëri,  ia besojnë  detyrën (profesionin) e bariut.Shota  ka shumë rrëfime e kujtime nga dalja dhe qëndrimi me grigjën e tij në bjeshkën e Komit, Rikavecit, Skrobotushës, Gërnçarit, Gucisë e deri në bjeshkën e  Bjeliqit, në  Vuthaj. Për ato ishin  ditë të bukura e kujtime të paharrueshme .

Ne jemi shqiptarë , e asgjë tjetër

Unë nuk kam takuar shqiptarë që të flasë me kaq mburrje  për origjinën e të parëve të tij si Shotë Mujin.  Ky malësor i ndershëm thotë me krenari se   prindërit tanë na kanë edukuar në frymën e dashurisë dhe respektit ndaj  vëllezërve tanë të besimit katolikë, por edhe të tjerëve. “ Në shtëpinë tonë kurrën e kurrës nuk është përdorur  fjala  myslinan  e  katolik.  Vetëm shqiptar, e asgjë tjetër. Vëllezërit e mi janë vetëm shqiptarët. Të tjerët i respektoj dhe i nderoj. Unë edhe  pse jam i besimit mysliman turqit nuk janë të afërmit e mi. Ata për mua kanë qenë okupatorë. Familja jonë kemi pasur një standard  pak më të mirë se bashkëfshatarët tanë në Milesh. Por, askush prej nesh  nuk ka shkuar në qabe. Ne e kemi qaben këtu nëse  duam të jemi burra të mirë e bamirës,” thotë Shota.   

 Zemër hapur e mikpritës për çdo mysafirë 

Familja e Muj dhe Mehmet  Muratit  shquhen   në Malësi për mikërpitje, për besë, për burrëri  e për shqiptari . Për kët familje zë madhe  bujaria shqiptare ka qenë në krye  të vendit.  Në vend të parë.   Familjarët e tyre gjithmonë  e kanë ndier veten krenar të prisnin  miq. Ata përherë e kishin në mendje, në zemër  dhe në shpirt thënien  e vjetër të shqiptarëve se “shtëpia është e Zotit dhe e mikut”. Në këtë familje të shquar edhe për  bamirësi kurrë nuk kanë munguar miqtë.   Shtëpia e tyre gjatë gjithë vitit ka qenë  përplotë e mbushur  me mysafirë. ” Nuk mbaj mend  më shumë se  një natë në vjet, thotë Shota, që shtëpia jonë të mos ketë pasur miq e  mysafirë.  Ne jemi munduar që mysafirin ta presim sa më mirë që mundemi. T’i ofrojmë  me zemër atë  çfarë kemi. T’i krijojmë një atmosferë të këndshme e të ngrohtë. Ta afrojmë me buzëshje,  që ta ndiej veten sikur në shtëpinë e vet, e jo si mysafirë”, shprehet Shota. 

Ai këtë traditë të mrekullueshme të familjarëve dhe  të parëve të  tij e ka  vazhduar  larg vendlindjes në Beograd, ku për  më se katër dekada  ka jetuar atje.  Shtëpia e tij, më kanë thënë shumë  malësorë nga Hoti, Gruda Trieshi e Koja ,  ka qenë ditë e natë e hapur për të gjithë ata që kanë pasur nevojë në kryeqytetin e –ish Jugosllavisë, në Beograd. Dhe nevojat e shqiptarëve ( malësorëve)  nuk kanë qenë të pakta. Përkundrazi.  Dikush shkonte në Beograd për  t’u shëruar. Dikush për  të tregëtuar. Dikush për viza e  nevoja të tjera t. Të gjithë ata që kanë kërkuar ndihmën e Shotë Mujit në Beograd janë kthyer të kënaqur dhe nuk ia harrojnë kurrë ndihmesën e  madhe dhe mikëpritjen njerëzore të tij dhe te bashkëshortes  së tij Marta Radulloviq nga Komani, tashmë të ndjerë.   Shotë Muji dhe bashkëshortja e tij shumë bujare Marta e mikëpritëse  nuk kanë  hezituar asnjëherë që  jo vetëm t’u kryejnë  malësorëve të njohur e të panjohur nevojat e tyre  shëndetësore e ekonomike, por edhe t’i  kthejnë për psuhim, për ushqim e për bujtje në banesën e vet. Kështu banesa e tyre  gjithmonë, deri para dy vitesh  me ndarjen nga jeta e bashkëshortes së tij, ishte   shtëpi e ngrohtë për qindra malësorë.  Dhe, kur Shota ( infermier medicinal në RTG ) në Spitalin e Ortopedisë në Beograd ,   nuk  kishte kohë  të  dilte  në stacionin e autobusëve  në Beograd për t’i pritur miqtë nga Malësia, por edhe jashtë saj, e çonte bashkëshorten. Në mungesë të  telefonave celularë dhe mosnjohjes së myasafirëve shpesh herë  u thoshte atyre që   në kokë të vinin faculetën e kuqe, si shenjë identifikuese të malësorëve. Dhe kështu  e dinin se cili është mysafiri i tyre.   

Të pa ndarë me vëllezërit e  besimit katolikë

Kjo familje të gjitha festat, kremtet dhe hidhërimet familjare i kanë kremtuar së bashku me vëllezërit e tyre të besimit katolikë . Feja për këtë familje gjithmonë ka qenë shqiptaria, m’u ashtu siç thoshte  Vaso Pash Shkodrani “ Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Shota më fletë me dashuri e respket për vëllezërit e tij të gjakut, siç shprehet ai,  për të  parët e vet të  fisit Lulgjuraj. “Ata ( Lulgjurajt), sikur t’i kishim pasur vëllezer të një nëne, nuk kanë mundur   të na duan   më shumë seç na kanë dashtë.Edhe ne ata, gjithashtu .  Në  festa, lindje, dasma, e morte kemi qëndruar bashkë pranë dhe me njëri tjetrin Në çdo rast kushërinjt tanë të besimit katolikë kanë qenë shërbyesit (hysmeqarët) tanë kryesor. Ata për shembull me rastin e festës së Bajramit  kujdeseshin për    prerjen, rjepjen dhe pjekjen  e kurbanëve. Harmonia  jonë ndër fetare dhe atmosfera e ngrohtë  e  vëllazërore  mes nesh ishte kënaqësia jonë më e madhe. Aq kënaqeshim, luanim, këndonim, vallëzonim, qeshnim, bënim shaka   me njëri-tjetrin sa që mezi prisnim festën tjetër për të festuar e argëtuar se bashku” , thotë  Shota.

Bekimi i bukës për Bajram  

Bashkëbiseduesi im më tregon  me thjeshtësi se në shtepinë e tyre  festa e Bajramit gjithmonë  është  festuar  me shumë mysafirë  të besimit katolikë. Veçon rastin kur në  Ditën e Bajramit kanë pritur 75 mysafirë, prej të cilëve 99% kanë qenë katolikë. “ Kur erdhi koha e shtrimit të soferës pas mesdite vëllai  im Ahmeti e fton fratin e Hotit, patër Kolën,  të bekojë bukën, sipas tradites së fesë se krishterë.   Patër Kola ngritet në këmbë. Merrë gotën e rakisë së rrushit . Me fjalë të bukura e të zgjedhura ,siç  dinë priftërinjtë,  uron festën dhe bekon bukën. Kur ulet frati Ahmeti  e pyet: – Me leje zotni patër mos ke harrua diçka pa thanë ? 

– Po, çka nuk kam thanë e asht dasht me thanë? i përgjigjet, patër Kola.

– Me ner e kjoft luvdua Krishti, ia ktheu Ahmeti.

Të gjithë mysafirët e ngazëlluzar  u çuan në këmbë dhe me të shtëna të shumta armësh (revolesh) e mirëpritën përgjigjen e vëllait tim. 

Po përmend edhe një rast tjetër të  vëllait tjetër të Shotës , Iso Mujit cili dëshmon për harmoninë ndër fetare që ka kultivuar kjo familje prej se ka kaluar në besimin islam. Është koha kur në varrezat e Tojeqit në fshatin Dinoshë planifikohej të ndërtohet lteri i Kishës. Një gjë e tillë, nuk u prit mirë nga disa dinoshianë të besimit myslimanë. Madje disa nga ata edhe e kundërshtuan.Siç më kanë treguar disa dinoshianë dhe  truieshjanë të vjetër , në momentin kur atmosfera filloi pak të përkeqësohet mes vëllezërve të një gjaku,  katolikëve e myslimanëve,  Iso Muji ngritet në këmbë. Çon dorën dhe me zë të lartë i  drejtolet masës me këto fjalë: “Vëllazën të dashtun. Ne as  sot,   as nesër dhe  askurrë nuk duhet të ndalojmë që këtu në Tojeq të ndërtohet  lteri  i kishës. Sepse, shikoni, atje e kam varrin e katragjyshit tim”. Këto fjalë të  Iso Mujit atë  ditë ishin vendimtare në këtë tubim dhe të gjithë u pajtuan për ndërtimin e lterit, i cili ekziston edhe sot bashkë me kishën në varrezat e Tojeqit.      

Mehmet Murati paguan tatimet për krejt Grudën

Familjarët  e Shotë Mujit kanë një histori interesante dhe të veçantë. Ajo meriton të ndriçohet e të shkruhet, jo për lavdinë e tyre, por të brezave që vijnë.  Se sa bamirëse ka qenë kjo familje dëshmon edhe shembulli  fisnik i Mehmet Muratit, për pagimin e tatimeve për krejt Grudën, në vitin 1932 ose 1933.   Mehmeti në atë kohë , siç pohon, nipi i tij Shota, ishte kryetar i srezit të Podgoricës. “Ai kur u njoftua se shteti   kishte  filluar aksionin per pagimin e tatimeve  në Grudë dhe se kishte filluar t’u marrë grudasve  bagëtinë në emër të borxhit u brengosë shumë.  Pasi është konsultuar me të villain Muj Muratin ,  e kishte vendosur  që  ai vetë ta shlyej  të gjithë borxhin e Grudës .  Dhe kështu vëllezërit   bamirës shesin 300 dele dhe me ato   para  Mehmeti paguan tatimet për krejt Grudën”, rrëfen Shota.  

Edhe pse  prej atëherë kanë kaluar shume vite  shembulli  i rrallë e human i  Mehmet  Muratit  për pagimin e tatimeve të gjithë grudasve nuk  është harruar deri në ditët e sotme, dhe besoj se s’do të harrohet kurrë. Veprat e këtilla njerëzore si këto   do të përcillen brez pas brezi, pasi janë të përjetshme për çdo popull, pra edhe për shqiptarë.

Si dhe pse  mbreti Zog u fali jetën  tre shqiptarëve

Mehmet Murati kishte miqësi të ngushtë me shumë personalitete të njohura politike të asaj kohë. Ndër ta edhe me  mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Sipas rrëfimit  të Shotë Mujit   diku rreth vitit 1931,Gjyqi Ushtarak i mbretit Zog në qytetin e Shkodrës kishte   dënuar me vdekje ( varje në litar) tre shqiptarë, Bajram Dinoshën, Gjergj Pllumin  e Shalës dhe një prift ( gjygjevit)  nga Shkodra, emri i të cilit nuk i kujtohet. “ Axha im Mehmet Murati, kur e dëgjoi këtë lajm të hidhur, dy ditë para ekzekutimit të këtij vendimi gjyqësor, i dërgon porosi  Ahmet Zogut përmes një të besuari të tij që  mos të kryhet ekzekutimi i Bajram Dinoshës,  para se ai ( Mehmeti) të  takohet me lartmadhërinë e tij. Në ditën e ekzekutimit  Muj Murati i shoqëruar me bajraktarin e Grudës Zef Martinin, të veshur me petkun kombëtar, xhamadan ari, çakshirë, këpucë lëkure e plisë të bardhë,   mbërrijnë  në pallatin e mbretit Zog në Tiranë. Aty i pret adjutanti i mbretit. I shoqëron dhe i përcjellë brenda në zyrë. Përqafohen miqësisht me mbretin. Ulen dhe fillojnë  bisedën.  Me këtë rast mbreti fton nën e tij me këto fjalë: “  Nënë, eja   të të njoftojë me  dy malësorë!            Se ti më ke thënë  se asnjë nënë nuk ka lindur djalë të bukur e të hijeshëm sikur ti. Kur i pa nëna e Zogut i përgjigjet të birit:” Edhe nëna tjera paskan lindur djem të hijshëm ( të pashëm)  e jo vetëm unë. Vërtetë  të dy qenkan burra të hijshëm,  pikë sokolash . Me pas kënaqësi me i shikua”. I kënaqur me përgjigjen e nënës dhe në respekt të madh ndaj mysafirëve mbreti Zog u drejtohet atyre me këto fjalë:

  • Pak është për  dy burra të shquar si ju të falë  vetëm jetën e një njeriu. Ju meritoni më shumë se kaq. Falë u qoftë jeta e të tre shqiptarëve të dënuar , Bajram Dinoshës, Gjergj Pllumit dhe priftit të Shkodrës”.

Vepra të këtilla si kjo për kohën e sotme duken si të pabesueshme, por janë të vërteta. Me shembuj të tillë duhet të krenohemi si komb dhe  këto vlera universale duhet kultivuar edhe në të ardhmen.    

  • 1

    Radio