Opinion Më shumë

Gjekë Gjonaj: Momenti për vetëndërgjegjësim përballë kësaj “ flame mbarëbotërore”

Prej tvteuta19:47, 19 Nëntor 2020

Që nga muaji mars i këtij viti qytetarët e  të gjitha vendeve të  botës  po përjetojnë ankthin e ardhjes së koronavirusit.  Prej atëherë ndodhemi në një situatë “lufte”. Jemi në luftë me një virus të padukshëm, por shumë të rrezikshëm e vdekjeprurës, i cili mund  të  godasë  fuqishëm çdo njërin nga ne, veçmas moshën e tretë dhe ata me  sistem imunitar më të ulët. Një pjesë e vogël e njerëzve   e kanë kuptuar seriozisht këtë virus “ të mallkuar”, sikurse edhe këshillat  dhe porositë e autoriteteve  të shëndetësisë se  të gjithë duhet të mbrohemi, më së pari për vetveten, për familjen, për të afërmit, dhe  për miqtë tonë. Nga ana tjetër shumica nuk besuan dhe vazhdojnë të mos respektojnë masat dhe kufizimet e parapara  për parandalimin e përhapjes së  këtij virusi i cili  për fat të keq  përditë po merrë jetë njerëzish të të gjitha grupmoshave.

Në këto ditë të vështira pandemie  si këto që po kalojmë duhet  të vetëndërgjegjoshemi përballë këtij virusi. Të ndërgjegjësojmë veten dhe familjarët tonë. Ndërgjegjësimi i komunitetit  është hapi kryesor dhe  ilaçi numër një   përballë kësaj “ flame mbarëbotërore”. Çfarëdo masash të mira të marrësh, nëse nuk respektohen nga të gjithë nuk pritet të ketë rezultate. Andaj, ka ardhur koha që të reflektojmë dhe ta kuptojmë gabimin tonë se  “  nuk është gjë ky virus”  se ” është një grip i zakonshëm sezonal ”.  Nuk ka vend për diskutim se a duhet besuar, apo mos besuar virusin. Virusi ekziston dhe është tejet i rëndë. Duhet   kujdes sepse ai thjesht nuk e di kah të vjen. Edhe nëse të vjen i ka goditjet e rënda. Këtë  gjë na e ka dëshmuar përvoja e deritashme.

Në  këto kushte jashtëzakonisht të vështira fizikisht dhe mendërisht  nevojitet të shmangim egoizmin tonë dhe indiferentizmin e panevojshëm. Në këtë betejë me këtë pandemi të rrezikshme  duhet të jemi  të gjithë bashkë. Askush në këtë kohë kovidiane  nuk është imun, pavarësisht pozicionit, profesionit, moshës e çdo gjëje tjetër. Kështu që të gjithë duhet të ruhemi dhe të zbatojmë  rregullat e profesionistëve  të shëndetësisë.   Kundërshtimi i këtyre rregullave nuk na bën të dukemi të fortë. Përkundrazi, na tregon njerëz të dobët. Se të dobëtit i udhëheq ankthi e paniku. E të fortët i udhëheq gjakftohtësia e kuraja!  Prandaj, në kohën kur  shumica  e shteteve evropiane e botërore  po shënojnë  rekord të zi  me të infektuar nga Covid-19  është momenti të duam veten dhe familjarët tanë, të mendojmë më shumë se kurrë me përgjegjësi të lartë qytetare. Jeta na është dhënë dhuratë dhe është detyra jonë ta mbrojmë atë. Tani është momenti që duhet të mbledhim të gjitha forcat tona dhe të bëhemi bashkë. Shpresojmë    që shumë shpejt secili prej nesh do t’i rikthehet jetës së tij normale dhe do ta nisim aty ku e kemi lënë. Por,  deri atëherë duhet të dëgjojmë specialistët dhe të përpiqemi t’i zbatojmë rregullat. Në të kundërtën  do të mbërrijmë një ditë, që askush nuk do të mundet të na vijë në ndihmë.

 

  • 1

    Radio