Gjekë Gjonaj: Niveli i (mos) pastërtisë në Komunën e Tuzit
Prej tvteuta14:23, 26 Tetor 2019
Të edukojmë rininë e Malësisë që të kujdeset për ambientet publike
Gjekë Gjonaj
Malësia është trevë e dashur. Me traditë shqiptare. E bukur. Mikpritëse. Djep i artit, kulturës, arsimit dhe vlerave të pafundme, në muret e së cilës dukshëm shkruhet historia e saj shekullore për të cilën shqiptarët malësorë janë krenarë dhe i ruajnë me fanatizëm. Vatër e fushëbetejave epike dhe e kthesave dramatike; Çdo pëllëmbë e saj është një thesar i paçmueshëm. Të gjitha këto dhe vlera tjera të saj do të veniten nëse ajo do të ndotet nga mbeturinat.
Kjo trevë e lashtë nesër meriton të duket më e pastër, më e rregulluar. Rrugët, trotuaret, deponimet ilegale të mbeturinave , janë hapësira tona. Ato pasqyrojnë kujdesin e qytetarëve të Malësisë, kulturën dhe edukatën tonë. Prandaj është e nevojshme që ne të mos bëjmë asgjë më shumë veç të pastrojmë ambientet publike, ashtu si i mbajnë shtëpinë.
Aksioni i organizuar pak ditë më parë i të rinjve vullnetarë nga fshati Traboin i Hotit të Malësisë në pastrimin e rrugëve lokale është një lajm i mirë, i cili duhet të frymëzojë të gjithë qytetarët e kësaj komunë të re dhe t’i paralajmërojë ata për një angazhim maksimal gjatë gjithë vitit në ruajtjen e ambientit të pastër. Nuk ka sesi të mos ndjehesh i kënaqur kur vëren se Malësia sot ka rini që di dhe ka vullnet të kujdeset për ambientin e tyre. Kjo për faktin se pastërtia e mjedisit ka ngjashmëri me mbajtjen pastër dhe të rregullt të shtëpisë. Ashtu sikurse kemi nevojë të mbajmë pastërtinë brenda dhe përqark shtëpisë, po aq edhe ambienti rrethues ka nevojë të pastrohet me kujdes. Porosia e këtij aksioni është që të largohet së paku një mbeturinë nga toka dhe të mbillet një lule apo fidanë. E kemi obligim që të kujdesemi për hapësirat publike dhe për këtë arsye duhet të gjithë ta mbështesim këtë fillim të mbarë të rinisë së Malësisë dhe organizatorëve e këtij aksioni. Sepse bardhoku është problem i të gjithë neve. Për këtë nuk mjafton vetëm një apo disa aksione në vit, por duhet përkujdesje ditore të secilit prej nesh , respektivisht duhet pasur vazhdimisht në mend një rregull të dobishëm për të gjithë “ Një vend për çdo gjë dhe çdo gjë në vendin e vet”.
Pavarësisht se ku jetojmë në fshat apo në qytet, në vilë, apo në shtëpi na duhet një program i përcaktuar mirë pastrimi dhe mirëmbajtjeje. Për shembull, ndoshta çdo ditë nuk e pastrojmë oborrin e shtëpisë ose trotuarin ngjitur. Ju e dini se sa të shëmtuar do të duken ata kur plehrat që lihen të grumbullohen disa ditë. E njëjta gjë është edhe me plehrat tjera në ambient nëse nuk rregullohet ( pastrohet) apo me gjërat e sendet e hedhura vend e pa vend brenda shtëpisë nëse atë nuk e mbajmë pastër.
Pa dyshim, ambienti publik ku jetojmë, do të duket shumë herë më mirë dhe do të jetë më i shëndetshëm nëse të gjithë ne bëjmë pjesën tonë për ta mbajtur të pastër. Për një pamje të këndshme brenda dhe jashtë shtëpisë jemi përgjegjës ne. E, mbajtja pastër e shtëpisë dhe e ambientit publik, nuk varet vetëm nga mundësitë tona ( tuaja) ekomomike, por nga qëndrimi i duhur mendor. Sikurse edhe nga niveli i vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit qytetar. Duhet të mundohemi maksimalisht për një ambient të pastër. Të përqendrohemi në drejtim të pastrimit të krejt hapësirës gjeografike të Komunës së Tuzit . Të ruajmë dhe largojmë ( tërheqim) mbetjet urbane dhe ato inerte si dhe të gjelbërojmë Tuzit me rrethinë. Të mos ndotim e shëmtojmë resurset e mrekullueshme natyrore të Malësisë. Nga ana tjetër ata që i hedhin mbeturinat aty ku nuk e kanë vendin duhet identifikuar dhe ndëshkuar me dënime. Andaj të kemi kujdes e t’i hedhim në vendet e parapara ( të dedikuara) për mbeturina nëse dëshirojmë dhe duam që, ambientin ku jetojmë ( në rastin konkret Malësinë) ta kemi vërtetë të pastër. Mos të ndalemi me kaq. Kemi edhe shumë punë për të bërë. Në radhë të parë të edukojmë rininë e Malësisë që të kujdeset për ambientin e pastër. Të organizohemi e të bashkohemi të gjithë për një Malësi më të pastër e më të rregulluar. Sepse të gjithë ne e duam Malësinë – Tuzin të pa ndotur. Pa mbeturina. E duam Malësinë e shëndetshme. Kjo na nderon të gjithëve edhe në sytë e të tjerëve.