Opinion Më shumë

Gjekë Gjonaj: Mos të rrezikojmë kulturën shqiptare në Ulqin

Prej tvteuta09:50, 1 Qershor 2019

Foto: Musa Hoxhiqi: Ish-objekti i pastruar i kino-sallës në Ulqin

Mos të rrezikojmë kulturën  shqiptare  në Ulqin

Gjekë Gjonaj

Çdo investimi në fushën e kulturës,  sado  simbolik qoftë, siç është rasti i fundit i pastrimit të kino-sallës në qendër të Ulqinit  i gëzohem. Jo pak. Por shumë,  mbase kjo fushë gjithëherë  prej se mbaj mend unë nuk është trajtuar në nivelin e duhur nga ana e  shtetit, as në kohën e njëpratizmit,   as  në periudhën e shumëpartizmit.  Buxhetet ( vlera e mjeteve)  që kanë ndarë qeveritë e kaluara  për kulturën në përgjithësi    kanë qenë të pamjaftueshme. Brenda këtij mozaiku kulturor  ka funksionuar dhe funkcion edhe kultura shqiptare.

Po të analizojmë buxhetet vjetore të Komunës së Ulqinit për kulturën,  në periudhën e tranzicionit , nga vitet 1990-të e këndej,  prej kur timonin e drejtimit ( udhëheqjes)  të komunës e kanë në duar shqiptarët, del se sektori (lexo kultura) vazhdon të mbetet në margjinat e politikave  vendore e qëndrore. Investimet e planifikuara komunale buxhetore në fushën e kulturës përbëjnë një shumë  të vogël  dhe të parëndësishme në relacion me prioritetet tjera. Domethënë , në vazhdimësi, nga viti në vit, mungojnë investimet infrastrukturore në kulturë. Po ashtu edhe investimi në kapitalin njerëzor dhe në rritjen e cilësisë  kulturore, pa të cilat  nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm të kulturës.

Kjo qasje nënçmuese  ndaj kulturës shqiptare në veçanti dhe  kulturës  në përgjithësi në nivel të Komunës së Ulqinit  nuk ka filluar të ndryshojë as në ditët e  sotme. Me kaq pak mjete sa planifikohen dhe me këtë strategji ekzistuese jo të mirëfilltë  është e pamundur  që të dalim nga ky degradim total.  Ndryshimi është i nevojshëm. I domosdoshëm. Pa humbur më shumë kohë duhet filluar sa më parë të heqim dorë nga politikat e deritashme të gabuara kulturore dhe të fillojmë në hartimin e një strategjie të re të qëndrueshme për zhvillimin e kulturës.

Rikujtojmë se Ulqini ka qenë ndër qytetet e pakta në Mal të Zi që i hapi rrugë ekranit  të madh të kinemasë përmes hapjes së kinemasë  e cila u pagëzua me emrin “ Zrvena  zvezda “ ( Ylli i kuq), që do të kthehej në emblemën e qytetit dhe qytetarëve që do të kishin përmes saj lidhjen e parë  me Perëndimin, përmes filmave të shfaqur në sallën e kësaj  kinemaje i takojnë nëntë dekadave më parë . E ndërtuar me mjete të ish-Jugosllavisë   në objektin e sotshëm të “ Holegros” menjëherë pas   përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1947/1948 e deri në vitin 1984,   është identifikuar si  kinemaja e parë dhe e vetme në këtë qytet. Ajo asokohe preferohej të ishte  epiqendër e çdo veprimtarie.

Nga arenë e kulturës dhe sallë e projeksioneve të filmave kjo kinema në vitin 1984 u transformua ( shndërrua)  në Qendër  Kulturore, në kuadër të së cilës përfshihen kino-salla, biblioteka dhe muzeumi-galeria. Prej asaj kohë e deri në ditët e sotme  në krye të këtij instititucioni të vetëm të kulturës në Ulqin, sipas  të dhënave që posedoj,  kanë qenë Xhemal Ficiq, Radovan Gjurishiq, Sari Resulbegoviq, Aco Janinoviq, Ferid Kurti, Muhamed Nika, Shaban Gjeka, Nail Draga, Astrit Salaj dhe Musa Hoxhiq. Domethënë gjatë 35 viteve të fundit   pëgjegjës kryesor për kulturën në Ulqin kanë qenë 8 shqiptarë dhe dy malazez.

Menjëherë pas  shembjes së sistemit komunist në Mal të Zi, në vend të rilindjes ( zhvillimit) të kulturës shqiptare në Komunën e Ulqinit, ajo pësoi   rënie e moszhvillim. Kështu  filloi shkatërrimi i plotë i kino-sallës  në zemër të Ulqinit, e cila sipas njohësve të mirë të kulturës në këtë qytet , ka filluar të punojë në vitin 1995 në  objektin e dikurshëm të  Centralit Elektrik. Ulqinakët e grupmoshave të mesme dhe më të  vjetër  e mbajnë mend si vend kulti. Nga ana tjtër  njëzet viteteve   të  fundit  në sytë e vendasve dhe të huajve ajo  është pikë referimi për të keq. U ndërruan shumë pushtete e drejtorë për kulturë në Ulqin. Të gjithë premtuan pafund. Provuan të ndryshojnë diçka për të mirë. Por  nuk arritën. Këtë nuk e them unë, por bashkëbiseduesit e mi, njerëzit e  kulturës dhe  dashamirët e shumtë të saj  në Ulqin. Sipas tyre që kultura shqiptare “ të frymojë” dhe të marrë “ shpirt” në këtë qytet duhet një politikbërje shumë më e ndërgjegjshme dhe me përgjegjësi. Ajo që i duhet kulturës shqiptare në Ulqin është përkrahje fimnaciare dhe institucionale së paku  dhjetë fish më e madhe se tani, që mos të rrezikojmë identitetin kombëtar. Në shtetet e vogla siç është Mali i Zi dhe te kombet e vogla në numër ajo që e mban gjallë  kulturën ose aktivitetet kulturore është shteti. Dhe ajo që e mban gjallë shtetin ose identitetin kombëtar është kultura e mirëfilltë.

  • 1

    Radio