Gjekë Gjonaj: Çantat e mbingarkuara vazhdojnë të rrezikojnë shëndetin e fëmijëve
Prej tvteuta14:08, 20 Shtator 2019
Fillimi i vitit të ri shkollor
Çantat e mbingarkuara vazhdojnë të rrezikojnë shëndetin e fëmijëve
Gjekë Gjonaj
Edhe këtë vit shkollor nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Ulqinit , sidomos ata të cilkit të ulët , sikurse edhe të gjithë moshatarët e tyre në shkollat tjera në Mal të Zi , po përballen me bartjen e çantave të rënda me tekste ( libra), fletore pune dhe mjete ( materiale) të tjera shkollore.
Ne çdo ditë para ose pasdite takojmë para oborreve të shkollave ose në rrugë djem dhe vajza të cilët me vështirësi ecin rrugës nga pesha e rëndë e çantës. Çantat e rënda të nxënësve në të gjitha shkollat fillore e kalojnë peshën e lejuar, duke u kthyer në një shqetësim serioz për të vegjëlit, thonë mjekët specialistë. Një fëmijë i klasës së parë ose të dytë me peshë trupore prerj 20-3o kilogramë mban mbi shpinën e tij një çantë që peshon deri në 5 kilogramë. Ndërkaq, ekspertët e shëndetit mendojnë se një fëmijë me trupin e tij deri në këtë moshë mund të mbajë një peshë në shumë prej 2.5 kilogramë.
Ata ( ortopedët) shprehen se pesha aktuale e çantave të nxënësve mund të sjellë lakime ( çrregullime) kurrizore, të cilat në mënyrë indirekte mund të ndikojnë edhe në sistemin e frymëmarrjes, sistemin respirator dhe urogjential, varësisht a është forma e lakesës në anën e djathtë apo në anën e majtë. Mjekët specialistë rekomandojnë që prindërit të kenë më shumë kujdes dhe çantat e tyre mundësisht të jenë ortopedike, ose të zgjedhin çanta që peshojnë më pak.
Prandaj, nuk duhet të habitemi që fëmijët tanë shpeshherë ankohen se kanë dhimbje në këmbë ose mbrapa në kurriz. Krejt kjo shkakton lodhje dhe plogështi te nxënësi. Dhe, kështu të lodhur, ata nuk janë në gjendje të përcjellin me vëmendje procesin mësimor. Kjo, natyrshëm, ndikon shumë në mos suksesin e tyre. Ata janë pasiv gjatë mësimit. Nuk dëgjojnë dhe nuk shfaqin interesim për mësim.
Për rreziqet që sjell në shëndetin e fëmijëve mbipesha e çantave të nxënësve, do të duhej të shqetësohemi të gjithë. Në radhë të parë prindërit, pastaj mësuesit dhe edukatorët. Ky problem serioz do të duhej të jetë brengë ( shqetësim) edhe për Ministrinë e Arsimit dhe për mbarë shoqërinë.
Po, cila do të ishte zgjidhja? Kur ende në shumicën e shkollave fillore, sidomos në zonat rurale, nuk ka dollapë, për qëndrimin (ruajtjen) e materialeve të nxënësve në dosjet e personalizuara!. Kur ende nuk mund të flitet për përdorimin në masë të laptopëve apo tabletëve tek nxënësit! Prandaj, shtrohet pyetja: kush duhet dhe çka duhet ndërmarr që të lehtësohet çanta e fëmijëve që bartin në shkollë?
Kjo është e mundshme të realizohet nëse ka vullnet dhe mirëkuptim, por duhet patjetër që të angazhohen Ministria e Arsimit, mësuesit dhe prindërit. Mnistria e Arsimit , nëpërmes ekspertëve, do të duhej sa më ngutësisht të përparojë strategjinë e reformës së filluar për të lehtësuar peshën e çantave shkollore që bartin nxënësit tanë të shkollave 9-vjeçare, por dhe të mesme. Këta janë ata të cilët mund të ndihmojnë që çanta shkollore e nxënësve të jetë sa më e lehtë, e sidomos për nxënësit e klasave të ulëta të shkollës fillore.
Derisa përgjegjësit e arsimit mos të gjejnë zgjidhjen e çantave të rënda nxënësit duhet të vazhdojnë t’i bartin vetë çantat dhe kështu të rrezikojnë shëndetin e tyre, ose për bartjen e çantave të ndihmohen nga prindërit e tyre.