Opinion Më shumë

Gj. Gjonaj: Shqiptarët s’duhet harruar kurrë kontributin madhor të Gjergj Berishajt në fushën e arsimit

Prej tvteuta13:27, 10 Shtator 2020

Me rastin e 87-vjetorit të lindjes dhe 16-vjetorit të vdekjes

Shqiptarët s’duhet harruar kurrë kontributin madhor   të Gjergj Berishajt në fushën e arsimit

Gjekë Gjonaj

Më 25 gusht 2020 Gjergj Berishaj kishte ditëlindjen. Tetëdhjetë e shtatë vjet më parë ai erdhi në jetë  si çdo njeri tjetër, i thjeshtë , i  zakonshëm, për të ikur në moshën  shtatëdhjetë e një vjeçare si  veteran i arsimit i cili la gjurmët e veta të cilat nuk mund të zhbëhen kurrë prej arsimit shqip në Mal të  Zi. Ai do të mbetet gjithnjë në fokus të atyre që e duan dhe jetojnë me arsimin dhe kulturën shqiptare. Vepra dhe kontributi i tij do të përkujtohet gjithmonë , pamvarësisht se ne me pa të drejtë e kemi lënë në harresë dhe nuk ia kemi dhënë vendin që e meriton, sikur shumë  personalitete tjera të njohura nga fusha e arsimit, kulturës, artit dhe shkencës.

E gjithë veprimtaria e   tij, që nga viti 1954 , kur e filloi punën si mësues në Shkollën Fillore në Dinoshë,  më vonë në Shkollën Fillore  në Tuz, ku punoi si mësues, arsimtar  i historisë  dhe zëvendsdrejtor,  pastaj si profesor dhe drejtor i parë shumëvjeçar i Gjimnazit ( shkollës së parë të mesme)   në Tuz, ka qenë e orientuar në shkollimin dhe  arsimimin  në gjuhën shqipe  të popullatës së Malësisë.

Puna e këtij intelektuali me dije dhe vizion  në shërbim të emancipimit  arsimor   dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve  është jashtëzakonisht e madhe, shumë  e rëndësishme  dhe e dobishme  , sepse këto vlera  për kohën e atëhershme kur numri i shqiptarëve të arsimuar ishte fare i vogël jo vetëm në Malësi por në  gjithë trevat shqiptare  në Mal të Zi, ishin nevojë ekzistencale  e shqiptarëve.

Profesori ynë i nderuar, duke parë këtë situatë  të vështirë të arsimit shqip në   Malësi  dhe mungesën e kuadrove në këtë fushë, nuk kurseu as kohë as mund që t’u dalë në ndihmë banorëve të të gjitha fshatrave të Malësisë. Ai ka merita  të mëdha se bindi shumë prindër të  Hotit, Grudës, Trieshit e Kojës dhe rrethinës  për t’i dërguar vajzat e tyre në shkollë, atëherë kur ende mbretëronin  fanatizmi, prapambeturia,  stereotipet dhe paragjykimet  ndaj  femrës shqiptare.  Brenda dyzet vjetësh sa punoi, si mësimdhënës me ditar në dorë e  drejtues i institucionit të parë të mesëm në gjuhën shqipe në Malësi, nxori me qindra nxënës të niveleve  të ndryshme të shkollimit. Duhet thënë se  drejtori  i dha një drejtim dinjitoz kolektivit të shkëlqyer  pedagogjk të tempullit më të dashur të dijes që ka patur Malësia. Një kontribut të veçantë arsimit shqip  i ka dhënë edhe si këshilltar pedagogjik për shkollat fillore  e të mesme në Mal të Zi për lëndën e historisë, si  bashkautorë i tekstit shkollor “ Në prehër të jetës së re” e recenzent i teksteve shkollore për shkollat e mesme në Mal të Zi.

Përveç angazhimit  dhe përkushtimit të tij me gjithë shpirt për arsimin e masave në gjuhën shqipe   ishte edhe atdhetar i shquar për çështje kombëtare. Si nxënës i Shkollës Normale në Gjakovë,  së bashku me disa shokë të tij  nacionalistë shqiptarë  haptas ngriti   zërin kundër politikave nacionaliste  dhe shoviniste  të regjimit të Aleksandar Rankoviqit  në Kosovë,   ndaj edhe në janar të vitit 1952  e dënojnë me përjashtim  nga shkolla.  Megjithathëse strukturat komuniste  e larguan nga shkolla  për “ fajin” e vetëm se  kërkoi  të drejtat nacionale  në veçanti në fushën  e arsimit dhe kulturës shqiptare,  nuk e   gjunjëzuan e nuk e frikësuan atë. Përkundrazi     e  forcuan edhe më shumë në drejtim të  misionit të tij jetësor  drejt rrugëtimit të gjatë  me shumë vështirësi e sakrifica në kërkim të  arsimimit  intelektual. I etshëm  për dituri vazhdoi  dhe përfundoi me sukses Shkollën Normale në Prishtinë, në vitin 1954, Shkollën e Lartë Pedagogjike  në Gjakovë – grupi histori-gjeografi, në vitin 1970 , ndërsa tri  vjet më vonë  diplomon po të njëjtën degë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë ,  në temën “ Kusarët  e Ulqinit”.

Profesor Berishaj ishte i mendimit se “ intelektuali duhet të dallohet edhe në luftën  për demokraci, për drejtësi, për kulturë, për arsim , për shkencë  dha barazi të plotë e të vërtetë  të të gjithë popujve pa dallim race, ngjyre, gjuhe e veçori tjetër dalluese. ” Në këtë kontekst   mjaft intensive dhe me përkushtim ishte edhe  veprimtaria e tij  në proceset e reja  demokratike  në Mal të Zi, kur u vendos pluralizmi politik dhe u shfaqën partitë e para politike.  Ka qenë deputet në Kuvendin e Malit të Z në  periudhën kohore 1990-1992.

E gjithë kjo veprimtari intelektuale dhe  atdhetare  e profesor Berishajt  duhet të shërbejë si shembull për të gjithë të rinjtë studentë  shqiptarë në fushën e arsimit  dhe më gjerë, por edhe për të gjithë  arsimdashësit  tanë dhe drejtuesit e arsimit   shqip. Të gjithë ne që patëm fat  e privilegj të ishim nxënës të profesorit, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij, e nderojmë me pietet e dashuri dhe e respektojmë me   përkulje punën dhe angazhimin  e tij  në fushën e arsimit shqip, duke e çmuar lartë përkushtimin  e tij në edukimin  e gjeneratave të reja. Kontributi i tij me punë dhe vepër që  u ka dhënë shqiptarëve  në Mal të Zi është një kontribut madhor, që shqiptarët  s’duhet harruar kurrë.

  • 1

    Radio