Rajoni/Bota Më shumë

Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak javën e ardhshme në Prishtinë dhe në Beograd

Prej tvteuta12:30, 26 Janar 2022

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha sot se javën e ardhshme i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, do të qëndrojnë në Prishtinë dhe në Beograd në një përpjekje për të ripërtërirë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Ai e bëri këtë paralajmërim gjatë një konference me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç në Bruksel, duke hedhur fajin për ngecjen e procesit të bisedimeve te autoritetet në Kosovë.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është mbajtur në korrik të vitit 2021 pa ndonjë përparim.

Mospajtimet më të thella kanë të bëjnë me asociacionin e komunave me shumicë serbe, meqë Beogradi ngulë këmbë që kjo është çështja kryesore, ndërsa Prishtina kërkon që çështje tjera më të ngutshme si ndriçimi i fatit të personave të zhdukur, të hidhen në tryezë.

Më herët gjatë këtij muaji Beogradi reagoi me zemërim ndaj vendimit të Prishtinës për të mos lejuar mbajtjen e nje referendumi të Serbisë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Qeveria e Kosovës refuzoi thirrjet e diplomatëve perëndimor për të lejuar një gjë të tillë duke theksuar se kjo bie ndesh me kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Zoti Borrell të martën ritheksoi kërkesën që palët të zbatojnë marrëveshjet e arritura në procesin e bisedimeve, ndërsa i tha kryeministres serbe se përparimi në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojnë ritmin e negociatave për anëtarësim të Serbisë.

Më herët gjatë këtij muaji Bashkimi Evropian paralajmëroi udhëheqësit e serbëve të Bosnjës se mund të përballen me sanksione dhe me rishqyrtim të ndihmës evropiane, nëse nuk i japin fund nxitjes së tensioneve dhe retorikës nxitëse ndërmjet komuniteteve.

Paralajmërimi pasoi kremtimin e ditës së Republikës Serbe, një nga dy entitetet e Bosnjës. Nëntë janari është dita kur në vitin 1992 serbët e Bosnjës shpallën pavarësinë nga pjesa tjetër e vendit, gjë që u pasua me një luftë të përgjakshme, e cila la pas vetes 100 mijë të vrarë.

Përgjatë kremtimit u shënuan incidente gjithandej Republikës Serbe, thirrje në mbështetje të kriminelëve të luftës dhe kërcënime ndaj myslimanëve boshnjakë.

BE-ja shprehu keqardhjen edhe për mbështetjen e dhënë nga partnerët e tjerë për demonstrative të tilla, që kërcënojnë qëndrueshmërinë rajonale dhe ndikojnë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Përfaqësues të qeverisë nga Beogradi, ishin pjesë e kremtimeve.

Me 5 janar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, për korrupsion dhe kërcënim ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës. Bashkimi Evropian ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim.

  • 1

    Radio