Forca: Na brengos keqpërdorimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare
Prej tvteuta17:28, 5 Korrik 2019
Forca e Re Demokratike i mbetet besnike vendimit unanim të mbajtur në Mbledhjen e Koalicionit të partive shqiptare, PDS dhe SD-së, të datës 2 korrik, me të cilin qëllimi i Kishës Ortodoksë Serbe për të mbajtur liturgji në Lokalitetin Arkeologjik të Shasit të banuar tërësisht me popullsi jo-ortodoksë konsiderohet i padëshirueshëm dhe irituese për banorët e Anës së Malit dhe Ulqinit.
Shtojmë gjithashtu që falë angazhimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Kuvendit
Komunal të Ulqinit, Muzeut të Ulqinit dhe bashkësive lokale të Anës së Malit,
janë vënë themelet e mbrojtjes ligjore të lokalitetit arkeologjik të Shasit dhe
Kalasë së Ulqinit, pa rënë pre e provokimeve të Kishës Ortodoksë Serbe në
Mal të Zi.
Na brengos edhe fakti që përmendet edhe pjesëmarrja e Kishës Ortodoksë Autoqefale Shqiptare e cila, jemi të bindur, nuk është njoftuar me brengat dhe ndjenjat e shqiptarëve në Mal të Zi karshi aksioneve të këtilla. Rrjedhimisht emri i saj dhe zemër çiltërsia e klerit të Kishës Ortodoksë Autoqefale Shqiptare keqpërdoren për të legjitimuar provokimin e rradhës.
Së fundmi, përveç mbrojtjes së monumenteve e cila po vihet në suazat dhe kornizat ligjore, të gjithë së bashku duhet të mbrojmë edhe qetësinë dhe ruajmë marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfetare për të cilët shquhemi edhe shqiptarët edhe Mali i Zi.
Si gjithmonë, pa fajin tonë, neve shqiptarëve në Mal të Zi, duke ndenjur në anën e ligjit na janë bërë padrejtësi nga shkelësit e ligjit të cilët kanë mbetur rëndom të pandëshkuar.
Mirëpo, kjo nuk na jep të drejtë për të bërë hapa vetanake të cilët mund të cenojnë sigurinë dhe zhbëjnë rezultatet e arritura deri më tani.
DREJTOR POLITIK
Ilir Çapuni