Forca e Re Demokratike i mbetet besnike qëndrimit lidhur me ndërtimin e bitumit në Krythë
Prej tvteuta09:30, 24 Dhjetor 2019
Forca e Re Demokratike i rri pranë shqetësimeve të qytetarëve të Anës së Malit lidhur me punimet që po bëhen në Krythë kundër planeve në fuqi. Sot, në Kuvendin e Komunës kryetari i Forcës së Re Demokratike Nazif Cungu në emër të klubit të këshilltarëve ka kërkuar që për këto punime të jepen informata nga ekzekutivi dhe kryetari i Komunës dhe të sillet përfundimi për ndalimin e ndërtimit të fabrikës së bitumit në Krythë dhe çdo ndërtimi të ngjajshëm që është në kundërshtim me planet dhe qëndrimet e banorëve të trevës së Anës së Malit dhe Ulqinit në përgjithësi.
Informata nga ekzekutivi është kërkuar në pajtueshmëri me Rregulloren, Statutin dhe ligjet. Shprehim indinjatën e thellë që këshilltarët e zgjedhur si përfaqësues të popullit nuk mund të marrin informacionin e duhur nga ekzekutivi i cili ka lejuar ose po bën punimet fillestare për një investim kaq të madh pa leje. Është për t’u habitur që dhënia e informatave është paralajmëruar për tubimin e qytetarëve e jo në institucionin e Kuvendit i cili ka të drejtë për të marrë vendime fuqiplote ligjore.
Shërbimi për Informim i Forcës së Re Demokratike