Fillon realizimi i projektit të ujësjellësit dhe kanalizimit
Prej tvteuta17:13, 31 Mars 2023

Në skelën e vogël në Ulqin, në Kepin e Gjeranës, sot është shënuar fillimi i punimeve për projektin e rindërtimit të ujësjellësit dhe kanalizimit në komunën e Ulqinit.
Ky projekt i Qeverisë së Malit të Zi dhe Komunës së Ulqinit kap vlerën mbi 20 milionë euro, ndërsa financues është banka gjermane KFW.
Në ceremoninë e vendosjes së gruëthemelit folën kryeministri Dr. Dritan Abazoviq, ministrja e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Ana Novakoviq Gjuroviq, Shef i Departamentit për Bashkëpunim të Delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Yngve Engstorm, ambasadori gjerman në Mal të Zi, Peter Felten, drejtori i kompanisë “Jedinstvo”, e cila do të kryej punimet, Miqa Miqiq, si dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.
Të gjithë u pajtuan se me realizimin e këtij projekti kapital, Ulqini po hyn në një fazë të re të zhvillimit, gjegjësisht se vetëm tani po krijohen parakushtet e nevojshme për investime të mëdha në turizmin e Ulqinit, në radhë të parë në Plazhin e Madh dhe Adën e Bunës.
Posaçërisht theksohet se kjo do të rezultojë në një qëndrim të ri ndaj bukurive unike të kësaj komune dhe problemeve të saj ekologjike, që do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe do ta bëjë Ulqinin një destinacion edhe më të dëshirueshëm për të gjithë mysafirët dhe vizitorët.
Përfaqësuesi i kompanisë që kryen punimet, tha se ato do të përfundojnë brenda afatit të caktuar dhe në mënyrë cilësore.