Aktuale Më shumë

Fillon ndërtimi i rezervoarit të ujit në Brajshë

Prej tvteuta18:15, 26 Maj 2023

Një nga projektet më të rëndësishme në historinë moderne të Ulqinit është ai në rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit. Ky projekt ka vlerë totale prej afër 20 milionë euro, ndërsa një prej pjesëve kryesore të investimit, është ndërtimi i rezervoarit me ujë në Brajshë, gurëthemeli për të cilin u vendos ditën e sotme. Në ceremoninë e fillimit të punimeve, ishte prezent kryetari i Komunës Omer Bajraktari dhe zyrtarët e tjerë të qeverisjes lokale.

“Kjo është një ditë e veçantë për Brajshën, Anën e Malit por gjithë Komunën e Ulqinit. Vazhdojmë me investime të cilët synojnë të përmirësojnë jetesën e qytetarëve të Ulqinit.”-tha kryetari. Bajraktari

Ndër personat më të gëzuar për fillimin e këtij investimi ishin pikërisht përfaqësuesit nga kjo zonë, të cilët për shumë vite e kanë kërkuar një investim të tillë.

Beqir Sella, tashmë nënkryetar i Komunës së Ulqinit, thotë se pas 27 vitesh u realizua ky projekt aq i nevojshëm për këtë zonë. Ai falenderoi pushtetin lokal dhe atë qëndror për kontributin e dhënë në jetësimin e këtij investimi.

Beqir Selimi, kryetari i Bashkësisë Lokale të Brajshës, tha se fshati dhe Ana e Malit kishin kohë që e prisnin këtë investim, i cili do të sjellë stabilizim në furnizimin me ujë. Ai shtoi se vlera e ndërtimit të rezervoarit është rreth 400.000 euro, çka mund të duket si investim i madh, por që ishte shumë i nevojshëm.

Benefitet e ndërtimit të këtij rezervoari nuk do të jenë vetëm në stabilizimin e furnizimit me ujë në zonën e Anës së Malit, por edhe ndërmarrja “Ujësjellës-kanalizime” do ta ketë më të lehtë të menaxhojë situatat kur vjen deri tek prishjet e ndryshme.

Fuad Haxhibeti, një nga profesionistët kryesor të qytetit dhe inxhinier i ujrave në këtë ndërmarrje, thotë se përveç stabilizimit në furnizim, edhe cilësia e ujit do të përmirësohet, ndërsa në rastet e ndërprerjes së energjisë elektrike, do të kenë ujë rezervë nga rezervoari në fjalë.

Investimi prej 20 milionë euro, pjesë e të cilit është edhe ky rezervoar, filloi në fillim të prillit dhe do të relalizohet në etapa.  Kryetari i Komunës , Omer Bajraktari, u bëri apel qytetarëve që të kenë durim gjatë punimeve, pasi ato po kryhen me qëllim zhvillimin sa më të shpejtë të qytetit.

  • 1

    Radio