Fillon asfaltimi i bulevardit “Teuta”
Prej tvteuta20 December 2022

Pas punimeve përgatitore, sot edhe zyrtarisht filloi asfaltimi i bulevardit “Teuta”. Punimet e shumëpritura do të përfundojnë deri në fund të kësaj jave , ndërsa Sekretari për Investime në Komunën e Ulqinit, Minir Karamanaga, shprehet i kënaqur për ecurinë e tyre . “Jemi jashtëzakonisht të kënaqur, punimet po ecin sipas planit. Besoj se do të përfundojnë në tre-katër ditët e ardhshme, do të shtrohet fillimisht ana e djathtë dhe më pas ana e majtë. Sot ka përfunduar asfaltimi i shtresës së parë dhe më pas do të vijë e dyta”, tha Karamanaga. Të nisur nga një eksperiencat e mëparshme, qytetarët dyshuan në cilësinë e asfaltit të ri, por Karamanaga siguron se asfalti i plotëson të gjitha kriteret . “Shtresa e re do të ketë një trashësi të kënaqshme asfalti. Pas bulevardit do të nisë asfaltimi i rrugës 28 Dhjetori, pas Shtëpisë Shëndetësore dhe para Vitit të Ri është planifikuar asfaltimi i rrugës nga kafe bar “Poseidon” deri në Plazhë të Vogël dhe vlera e të gjitha punimeve do të arrijnë në gjysmë milioni euro”, tha Karamanaga. Mbykqyrjen e punimeve e bën Agjencia për Ndërtim dhe Zhvillim.