Aktuale Më shumë

“Festivali Seanema është ende këtu”

Prej tvteuta14:01, 15 Shtator 2022

Edicioni i shtatë i Festivalit të filmit Seanema nis të enjten, më 15 shtator në ora 17:00 me program konkurrues të filmit të shkurtër në Qendrën e Kulturës në Ulqin, ndërsa në mbrëmje në orën 20:00 para Muzeut arkeologjik në Kala shënon hapjen zyrtare me filmit dokumentar “Pajtimi” nga Marija Zidar.

 

Dokumentari është bashkëprodhim i katër shteteve, të BE-së dhe të rajonit, i mbështetur nga Euroimages dhe që mban firmën e bashkëprodhueses nga Ulqini, Drita Llolla. Filmin do e prezantojë para publikut ulqinak regjisorja e tij, Marija Zidar, e cila ka punuar thuajse një dekadë në studimin e temës, e më pas regjinë e cila trajton dhe fokusohet te përpjekjet për pajtim pas një konflikti në veri të Shqipërisë në kontekstin e interpretimit edhe të kodit të së drejtës zakonore. Tematika e këtij dokumentari përbën hyrje në temën e edicionit të këtij viti të quajtur “Unë jam akoma këtu…” Dhe e cila fokusohet tek fenomeni i përballjes me të shkuarën dhe tranzicionin, duke e trajtuar përmes nga këndvështrimi sociologjik, kulturor dhe politik.

A duhet t’a shohim të kaluarën si relikë e një realiteti të trashëguar që kërkon të zhvillohet më tej, me gjithë kompleksitetin dhe shtresat që e karakterizojnë? Si e interpretojmë sot traditën, patriarkalizmin dhe rolin e besimit religjioz? A kanë rol teknologjitë e reja në formësimin e normave dhe rregullave të sjelljes? Këto janë disa nga pyetjet që programi filmik shtron për të vijuar diskutimin e hapur mes publikut, aktivistëve si dhe krijuesve artistikë e cila tashmë tradicionalisht ndodh në festivalin Seanema.

Përveç filmit “Pajtimi”, në program gjendet edhe filmi “Motrat” nga Dina Duma i cili shfaqet të premtën më datë 16 shtator në ora 20.00, gjithashtu te Muzeu arkeologjik në Kala. Ky film trajton fenomenin e bullizmit dhe dhunës në hapësirën online përmes përdorimit të teknologjive të reja, si dhe është vlerësuar me çmimin e jurisë në kuadër të programit “East of the West” në festivalin ndërkombëtar “Karlovi Vari”. Ndërkaq, “Pas dimrit” i regjisorit malazez Ivan Bakraç vjen të njëjtën natë dhe në të njëjtin lokacion me fillim në ora 21.30.

Në kuadër të edicionit të shtatë të këtij viti, do ketë edhe program konkurrues të filmave të shkurtër në orët e pasditës me fillim në 16.30 në sallën e Qendrës për kulturë. Programi I filmave me metrazh të shkurtër përfshin, ndër të tjerë, edhe “Pa vend” (“Displaced”) nga Samir Karahoda dhe “The North Pole” nga Marija Apčevska, “Break Off” nga regjisorja Öykü Orhan dhe “Penalty shot” nga regjisori slloven Rok Biček.

Risia e edicionit të këtij viti është bashkëprodhimi i Rrjetit Ballkanik të Filmit të Shkurtër, së bashku me dy festivale të tjera nga rajoni: Bašta Fest nga Bajina Bashta dhe Drim Short Film Fest nga Struga. Qëllimi i këtij rrjeti është edukimi i kineastëve të rinj, si dhe promovimi i filmave me metrazh të shkurtër në rajon, ndërkaq themelimi i tij është mbështetur nga Fondi për Ballkanin Perëndimor. Në punëtorinë “Festival Ready” e cila mbahet në Podgoricë dhe në Ulqin, pesë ekipe pjesëmarrësish do të punojnë me trajnerë nga Mali i Zi për zhvillimin e një strategjie për festivalet dhe mënyrën se si ata do të prezantojnë projektet e tyre pas përfundimit të prodhimit.

Seanema Film Festival këtë vit përkrahet edhe nga Qendra kinematografike e Malit të Zi, Komuna e Ulqinit, Qendra për Kulturë dhe Organizata Turistike Ulqin, si dhe kompania DAA Montenegro.

  • 1

    Radio