Festivali i filmit Seanema hap siparin e edicionit të pestë me filmin “Delegacioni” nga Bujar Alimani
Prej tvteuta13:40, 5 Shtator 2019
Edicioni i pestë i SEANEMA FILM FESTIVAL, i cili do të mbahet në datat 18 më 22 shtator 2019 në Ulqin, hap siparin me premierën malazeze të filmit DELEGACIONI nga regjisori Bujar ALIMANI, i cili do të jetë i ftuari i festivalit së bashku me aktorët Viktor Zhusti dhe Ndriçim Xhepa, si edhe me producenten Emir Gramo Turkeshi.
Filmi është një bashkëprodhim i Shqipërisë, Francës, Greqisë dhe Kosovës i cili në qëndër të vëmendjes historinë e një delegacioni të ardhur nga Komuniteti Europian në Shqipëri për të mësuar më shumë mbi të drejtat e njeriut. Filmi do të shfaqet në 20:00 përpara Muzeut Arkeologjik në Kalanë e Ulqinit, si pjesë e programit të filmave në konkurrim.
Sllogani i festivalit SEANEMA këtë vit është IN/EXCLUSION dhe organizohet, tashmë tradicionalisht, nga OJQ Unë veproj (iAct). Gjatë katër ditëve do të shfaqen tetë filma artistikë në kategorinë konkurruese, duke kombinuar cilësinë artistike dhe qasjen kritike që kanë ndaj problematikave shoqërore.
Filma të tjerë në këtë kategori dhe që shfaqen premierë në Mal të Zi, janë SHPIA E AGËS nga regjisorja Lendita Zeqiraj, DERË E HAPUR nga Florenc Papas dhe E PUNËSUARA nga Nikos Labos. Përveç tyre, do të shfaqen edhe TI KE NATËN nga Ivan Salatiq, GJINJTË nga regjisorja Marija Peroviq, E KALUARA E PAKUFISHME nga Andro Martinoviq dhe PASOJAT nga Darko Shtante.
Filmat do të garojnë për çmimin Filmi më i mirë dhe Regjia më e mirë.
Gjatë SEANEMA FILM FESTIVAL do të shfaqen rreth dyzet filma artistikë, të shkurtër dhe dokumentarë. Në kategoritë kryesore konkurruese janë filmat artistik metrazh i gjatë dhe filmat e metrazhit të shkurtër, prodhimet më të fundit nga Mali i Zi, rajoni, Europa dhe bota. Filmi i shkurtër i regjisorit shqiptarë Erenik BEQIRI, Furgoni, i cili u shfaq këtë vit në Festivalin e Kanës do të jetë pjesë në kategorinë konkuruese SEANEMA. Gjithashtu, shfaqen filma artistikë dhe dokumentarë jashë konkurrimit, në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së dhe EU Info centre, si edhe filmat e shkurtër të nominuar për çmimin e Akademisë Europiane të Filmit (programi Short Matters!).
Me mbështetjen e Projektit CIRCE (Nisma e përbashkët për promovimin e veprimtarisë audiovizuale), projekt ndërkufitar ndërmjet Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, financuar në kuadër të INTERREG IPA CBC, në fokus të këtij edicioni do të jenë prodhimet kinematografike të rajonit të Puglias dhe të Shqipërisë. Filmi STREHA MES REVE nga regjisori Robert BUDINA, fitues i trefishtë në festivalin PriFest në Prishtinë si edhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, do jetë pjesë e kategorisë FOCUS.
Vlen të theksohet se festivali këtë vit do të ketë programin edukativ për produksion dhe kritikë filmi për nxënës/e të shkollave të mesme, i cili realizohet me mbështetjen e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe Qendrës kinematografike të Malit të Zi.