Escobar në Mal të Zi. Takohet me Abazoviq dhe Gjukanoviq
Prej tvteuta15 December 2022

Qëndrimi ynë është se Mali i Zi duhet të zgjidh ngërçin politik në të cilin ndodhet, të mbetet i përkushtuar në rrugën euroatlantike dhe të kundërshtojë qartë agresionin brutal të Rusisë kundër Ukrainës, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kështu ka bërë të ditur Ambasada Amerikane pas takimit të Escobar me kryeministrin në detyrë Dritan Abazoviq. Qeveria njoftoi se Abazoviq dhe Eskobar diskutuan për çështje të shumta aktuale të sigurisë së brendshme, rajonale dhe globale dhe ranë dakord që të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, të bazuara në një sistem të përbashkët vlerash, interesa partneriteti dhe aleancë brenda NATO-s.
Ata thonë se në takim Abazoviq ka fajësuar politikanët që ende jetojnë në vitet nëntëdhjeta, të cilët duke nxitur destabilizime politike duan mohojnë vendit afirmimin e politikave progresive dhe pro-evropiane dhe rrugën më të shpejtë të Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian. Duke folur për rezultatet e Qeverisë në periudhën paraprake, Abazoviq theksoi të arriturat në fushën e ekonomisë, politikës sociale, luftës kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe në energjetikë, veçanërisht në kontekstin e krizës globale të energjisë.
Escobar u takua edhe me presidentin, Millo Gjukanoviq dhe me këtë rast, sipas Ambasadës Amerikane, bashkëbiseduesit kanë shprehur shqetësimin lidhur me miratimin e Ligjit për Presidentin. Në postimin e ambasadës amerikane në Twitter thuhet se ata diskutuan edhe për nevojën e zhbllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shkëmbyen mendime për çështjet e sigurisë rajonale.
Në një postim në Twitter të presidentit të Malit të Zi, thuhet se ai ka shprehur shqetësimin ekstrem për “funksionalitetin e shtetit në kushtet kur nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe Qeveri dhe nuk ka konsensus në Kuvend”. “Mali i Zi duhet të kthehet në gjendje normaliteti që i takon si anëtar i besueshëm i NATO-s dhe një vendi që është përgjegjës për realizimin e perspektivës së anëtarësimit në BE përmes reformave”, thuhet në njoftimin e Presidentit në Twitter.