Emër shqip për një lloj të ri insekti të zbuluar në Serbi

Prej tvteuta10:35, 25 Mars 2022

Këto ditë është publikuar punimi i zbulimit të një lloji të ri insekti nga Bjeshkët e Jastrebcit në Serbi. Lloji është gjetur dhe përshkruar nga profesori Halil Ibrahimi dhe ekipi i profesorëve nga Universiteti i Prishtinës dhe disa universitete të tjera nga Ballkani. Ky hulumtim i udhëhequr nga ekipi i profesorëve nga Universiteti i Prishtinës është në vazhdën e hulumtimeve të biodiversitetit të insekteve, në kuadër të të cilave viteve të fundit janë zbuluar disa lloje të reja për shkencën.

E veçanta e këtij lloji është emërtimi i tij Potamophylax idliri nga shqipja ‘i dëlirë’ duke iu referuar Jastrebcit si një nga bjeshkët më të pastra dhe më të padegraduara në Ballkan. Kujtojmë se në të kaluarën, e sidomos gjatë kohës së ish Jugosllavisë, llojeve të reja të bimëve apo kafshëve të gjetura, qoftë në Kosovë qoftë tjetërkund, u janë dhënë emërtime kryesisht me origjinë nga gjuhët sllave si ‘metohicus’, ‘slavensis’, ‘bistra’, për shkak të mbizotërimit në këto hulumtime të studiuesve kryesisht nga Serbia.

Hulumtimi i punimit të këtij lloji të ri për shkencën është botuar në revistën prestigjioze Zootaxa ku botohen të arriturat kryesore në botë nga fusha e llojeve të reja të shtazëve. Në këtë revistë shkencore brenda vitit publikohen me qindra lloje të reja nga të gjitha kontinentet.

Prania e këtij lloji tregon për pasurinë e madhe të biodiversitetit në Ballkan, i cili fatkeqësisht është duke u rrezikuar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit. Më herët nga profesori Halil Ibrahimi dhe ekipi i njëjtë i hulumtuesve janë zbuluar disa lloje të reja për shkencën nga Kosova dhe rajoni, i fundit prej tyre lloji Potamophylax coronavirus i cili u bë temë e agjencive botërore para disa muajsh.

  • 1

    Radio