Aktuale Më shumë

Edicioni i 3-të i Bird Salt People: FEST. Lika: Kriporja kërkon kontributin e të gjithëve. Nuk mjaftojnë vetëm shoqatat

Prej tvteuta18:10, 29 Gusht 2023

Në Kriporen e Ulqinit ka filluar edicioni i tretë i manifestimit BIRD SALT PEOPLE FEST, i cili organizohet nga shoqata joqeveritare “Martin Schneider Jacoby”. Ky manifestim thonë organizatorët, ndër të tjera ka për qëllim të ngrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë a aktivizmit qytetar në mbrojtjen e mjedisit, por edhe të promovojë kreativitetin.

“Është festivali i tretë i kushtuar Kripores së Ulqinit dhe gjithë zonave të mbrojtura në Mal të Zi. Shërben për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe këto zona të mbrojtura, por edhe ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e aktivizmit qytetar në mbrojtjen e mjedisit.” – thotë Zenepe Lika nga shoqata MSJA.

Për të promovuar sa më shumë nevojën e aktivizmit qytetar, vizitorët do të kenë mundësi të ndjekin edhe shfqajen e disa filmave, tematika e të cilëve përputhet me synimet e festivalit.

Ky manifestim do të zgjasë katër javë, por aktivitetet organizohen gjatë fundjavës, gjegjësisht të premteve dhe të shtunave. Secila fundjavë do të jetë ndryshe dhe do ti kushtohet një tematike të veçantë.

Kriporja e Ulqinit është tashmë zonë e mbrojtur, por ende ka shumë punë për tu bërë në revitalizimin e saj. Ndërmarrja për menaxhim nuk është themeluar dhe për këtë priten procedurat burokratike. Aktivistët vazhdojnë të kenë shqetësimet e veta.

“Deri diku jemi të kënaqur. E kemi zonën e mbrojtur , por nuk mund të jemi të kënaqur plotësisht pasi nuk e kuptojmë se këto zona kërkojnë mjete dhe angazhim të vazhdueshëm dhe se nuk mund të ringjallen vetvetiu. Këtu jemi të përfshirë të gjithë. jo vetëm organizatat joqeveritare, por edhe pushteti lokal dhe ai qëndror, të gjithë duhet të japin kontributin e vet.” – thotë Lika.

Bird Salt People FEST do të zgjasë deri më 16 shtator, dhe pritet të mbledhë jo vetëm ata që kujdesen për mborjtjen e mjedisit, por edhe të apasionuar pas formave të ndryshme të artit. Ky manifestim do të shërbejë për promovimin e Kripores së Ulqinit dhe nevojën e ruajtjes së saj, por mund të shërbejë edhe si atraksion turistik, për vizitorët që duan të shijojnë diçka ndryshe, nga oferta tradicionale e qytetit tonë.

  • 1

    Radio