Aktuale Më shumë

E mundshme një Qeveri e re me shumicë të re

Prej tvteuta13:02, 9 Janar 2022

Kjo qeveri po numëron ditët e fundit ndërsa manovrat populiste rreth buxhetit dhe elementëve shoqërues sigurisht që nuk do t’i ndihmojnë, tha në një intervistë për Pobjeda deputetja e Partisë Socialdemokrate (SDP) Draginja Vuksanoviq-Stankoviq, duke theksuar se kryeministri dhe ministrat e qeverisë së tij janë të vetëdijshëm për këtë.

“Krivokapiq dhe ministrat e tij të rinj e dinë se qeveria po bie dhe gjithçka që ata po bëjnë është vetëm përpjekja e tyre për të ndërtuar vlerësimin e partisë së tyre në zhvillim, në prag të zgjedhjeve që ata i konsiderojnë të sigurta,” tha Vuksanoviq-Stankoviq.

Zgjidhjen më logjike të krizës aktuale ajo e sheh në zgjedhjet e reja. Ajo thekson se zgjedhja e një qeverie të re, me një shumicë të re parlamentare, nuk është e pamundur.

“Nëse aktorët politikë pro-evropianë marrin vendime të bazuara në vlera dhe programe, rezultati i kësaj krize mund të jetë i favorshëm për Malin e Zi dhe të gjithë qytetarët e tij. SDP me të gjitha mundësitë e saj do të kontribuojë në çdo rezultat që do të ndalojë këtë fundosje dhe rrënim të kësaj shoqërie në të gjitha segmentet e saj”, tha ajo.

Kur bëhet fjalë për Memorandumin e Bashkëpunimit të lidhur nga Ura, SNP dhe Civis me partitë e pakicave, Vuksanoviq-Stankoviq thotë se SDP e mirëpret marrëveshjen dhe e sheh atë si një kontribut për të kuptuar më mirë çështjet që duhet të jenë vlera themelore të Malit të Zi modern.

“Malit të Zi i nevojitet një ndryshim politik në drejtim të krijimit të partneriteteve të vlefshme politike dhe forcimit të dialogut politik si e vetmja rrugëdalje nga agonia sistematike që po kalojmë. Se a do të ndodhë kjo dhe nëse ky memorandum do të ketë disa implikime më të gjera politike, do të shihet shumë shpejt. Ne po merremi me politikë që të luftojmë për disa qëllime që i konsiderojmë kapitale për shoqërinë dhe jo të udhëhiqemi nga kotësitë, interesat personale dhe të ngushta partiake”, theksoi ajo.

  • 1

    Radio