Aktuale Më shumë

Dukaj – Popa: Prioritet reforma e administratës dhe transformimi dixhital

Prej tvteuta17:32, 20 Maj 2022

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka takuar sot shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, ambasadoren Oana Kristina Popa. Duke e uruar ministrin Dukaj për emërimin e tij, Popa theksoi se vlerëson kontributin e deritanishëm në realizimin e agjendës evropiane. Ajo tha se Mali i Zi ka bërë përparim në procesin e pranimit në BE, duke shtuar se Ministria e Administratës Publike përballet me një sërë sfidash. Popa theksoi gatishmërinë e BE-së për bashkëpunim në arritjen e synimeve të përcaktuara dhe shprehu pritshmërinë që Mali i Zi do të vazhdojë të përmbushë me sukses detyrat për përparim të mëtejshëm në fushën e reformës së administratës publike, punësimit në bazë të meritave dhe kompetencave dhe dixhitalizimit të administratës publike.

Ministri Dukaj shprehu mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për angazhimin dhe mbështetjen ndaj Malit të Zi në arritjen e rezultateve kyçe në fushën e reformës së administratës publike dhe informoi për prioritetet në punën e këtij departamenti dhe vizionet për përmirësimin e mëtejshëm të administratës publike, përfshirë procesin e dixhitalizimit. Ai theksoi se në periudhën në vijim do të punohet intensivisht në realizimin e aktiviteteve dhe realizimin e prioriteteve të përcaktuara me dokumentet strategjike aktuale, gjegjësisht Strategjinë për Reformën e Administratës Publike dhe Strategjinë e Transformimit Dixhital.

Ai vuri në dukje se do të punohet në përmirësimin e zgjidhjeve ligjore për administratën publike në përputhje me praktikat dhe zgjidhjet më të mira të BE-së dhe theksoi se do të vazhdojë zbatimi i kornizës ligjore të harmonizuar me BE-në. Ministri Dukaj iu referua edhe çështjeve të resurseve njerëzore, ku paralajmëroi se do të punohet intensivisht në përmirësimin e potencialeve kadrovike të vetë Ministrisë, përmes trajnimit të stafit ekzistues dhe plotësimit të vendeve të lira. Bashkëbiseduesit u shprehën të hapur për bashkëpunim edhe më intensiv bazuar në mbështetjen e ardhshme, përmes vazhdimit të projekteve dhe asistencës së ekspertëve në fusha të ndryshme.

  • 1

    Radio