Aktuale Më shumë

Do të kemi një strukturë të gatshme për fazën e re të negociatave me BE-në

Prej tvteuta12:52, 2 Janar 2024

Mali i Zi do të ketë një strukturë të gatshme negociuese që pas marrjes së standardeve përfundimtare në kapitujt 23 dhe 24, të hyjë në një fazë të re të negociatave me Bashkimin Evropian (BE), tha Ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq

Ajo kujtoi se Qeveria ka miratuar Vendimin për krijimin e strukturës negociatore dhe ka emëruar kryenegociatorin, si dhe se në fund të dhjetorit kanë ftuar organizatat joqeveritare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre si anëtarë të grupeve punuese për 33 kapitujt e negociatave.

Në një intervistë për agjencinë MINA, Gorçeviq tha se hapi tjetër është kompletimi i ekipit negociator dhe emërimi i shefave të grupeve punuese negociuese.

“Besoj se tashmë në tremujorin e parë të këtij viti mund të kemi një strukturë të rrumbullakosur dhe funksionale të negociatave të gatshme që së bashku me kryenegociatorin dhe Ministrinë e Çështjeve Evropiane (PE) të fillojmë punën intensive për zbatimin e detyrimeve nga agjenda evropiane. “, tha Gorçeviq.

Siç tha ajo, ndryshimet në strukturën e negociatave nënkuptojnë forcimin në kuptimin personal, por edhe në drejtim të përmirësimit të koordinimit të procesit.

Ajo theksoi se për fazën e ardhshme të negociatave, kur priten rezultate dhe zgjidhje konkrete nga Mali i Zi, shteti duhet të ketë institucione efikase, staf profesional dhe ekspertizë të zhvilluar në të gjitha fushat e negociatave.

“Siç e dini, Qeveria e ka përcaktuar si prioritet në punë fushën e sundimit të ligjit dhe është mirë që në fillim të mandatit patëm mundësinë të shohim rezultatet e përkushtimit dhe vendosmërisë së Qeverisë dhe Kuvendit në atë fushë, para së gjithash përmes emërimeve në gjyqësor”, tha ajo.

  • 1

    Radio